Sindikata e drejtuesve të trenave GDL ka thirrur një grevë gjashtë-ditore për anëtarët e saj duke hedhur poshtë propozimin e ri të kompromisit të paraqitur të premten e kaluar nga Hekurudhat Gjermane (DB).
Sipas njoftimit të Sindikatës Gjermane të Drejtuesve të Trenave GDL, greva për transportin e mallrave do të fillojë nesër në orën 18:00 dhe për shërbimet e pasagjerëve në orën 02:00 të së mërkurës dhe do të përfundojë të hënën e ardhshme në orën 18:00. Ky është mobilizimi i katërt dhe më i gjatë i sindikatës në kuadër të mosmarrëveshjes me punëdhënësin.
Propozimi i ri i Deutsche Bahn për punonjësit përfshin një ulje të kohës së punës me një orë për drejtuesit e trenave nga 1.1.2026, një rritje prej 4.8% të pagave nga gushti i këtij viti, një pagesë bonus prej 5% nga prilli 2025 dhe një pagesë një herë kompensim inflacioni, menjëherë pas arritjes së një marrëveshjeje. Sipas propozimit, kontrata e re kolektive e punës duhet të jetë 32 muaj.
“Me propozimin e saj të tretë dhe gjoja të përmirësuar, DB tregon edhe një herë se është e painteresuar dhe vazhdon rrugën e saj të mëparshme të mohimit dhe konfrontimit – nuk ka asnjë gjurmë të dëshirës për të arritur një marrëveshje”, thuhet në deklaratën e sindikatës në përgjigje.
“DB mbështetet në kompromise, GDL përshkallëzon mosmarrëveshjen”, tha një zëdhënës i Hekurudhave Gjermane pas përgjigjes së re negative të sindikalistëve dhe e quajti “të papërgjegjshme” që sindikata nuk po kthehet në negociata, pavarësisht ofertës së re të punëdhënësve.
“Kushdo që nuk vjen në tavolinën e negociatave me një ofertë rritjeje deri në 13% dhe mundësinë e një jave 37 orëshe me të njëjtën pagë, po sillet krejtësisht në mënyrë të papërgjegjshme”, tha zëdhënësi i DB, ndërsa kreu i burimeve njerëzore të kompanisë, Martin Zeiler, tha se GDL nuk i përdor grevat si mjetin e fundit, por si një mjet vetëpromovimi.
Sindikalistët i qëndrojnë kërkesave të tyre për rritje mujore prej 555 eurosh, ulje të orarit të punës nga 38 në 35 në javë për ata që punojnë me turne dhe pagesë të njëhershme prej 3000 euro “kompensim inflacioni”. DB, nga ana e saj, e konsideron veçanërisht të pamundur të plotësojë kërkesën për uljen e orarit të punës, pasi do të nevojitej staf i ri, në një kohë kur ka mungesë të punëtorëve të kualifikuar në profesionet e hekurudhave. /vizionplus.tv