Gjykata Kushtetuese në Maqedoni do të vendosë në shtator nëse do ta lërë në fuqi apo do ta shfuqizojë Ligjin për Gjuhën. Nëse do të ndodhë kjo e dyta, gjuha shqipe nuk do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Shkup.
Pak ditë pas marrjes së këtij vendimi, kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski tha se me ligjin për përdorimin e gjuhëve, politika ka krijuar një kaos juridik e që rezultoi me kaos politik, mosbesim dhe dilema.
Në pritjet nëse Kushtetuesja do të shfuqizojë apo do ta lë në zbatim ligjin për gjuhët, Kostadinovski thotë se gjykata do të sjellë vendim të argumentuar dhe me bazë juridiko-kushtetuese. “Ajo që është e rëndësishme, është të shihen argumentet objektive në vendimin cilido që të jetë, para se të jepet çfarëdo komenti. Vendimi i Gjykatës duhet të respektohet dhe pranohet si shprehje e pjekurisë të politikës dhe shoqërisë, vendimi të jetë kornizë orientuese për veprim të ligjvënësit”, tha
Darko Kostadinovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.
Kostadinovski shton se zbatimi i ligjit për gjuhët po krijon probleme, duke mos cekur se çfarë probleme, por duke aluduar në vërejtjet që dolën nga komisioni i Venecias. E për të mos ndodhur kjo, nga 1 shtatori hyn në fuqi akti i ri i gjykatës, i cili parasheh afat kohor prej gjashtë muajsh për Qeverinë, që të përmirësojë ligjin për gjuhët, respektivisht për të larguar vërejtjet dhe dilemat e konstatuara.
E meqenëse ligji, siç njoftoi vet Kostadinovski, mund edhe të shfuqizohet, reagoi Fronti Europian. Kërkojnë të mos preket gjuha shqipe, ndërsa paralajmërimet për “heqje të dilemave” i shohin si të motivuara politikisht. Këto tema nuk kanë dilema dhe janë mbyllur me amandamentet kushtetuese me ligjet tjera në fuqi, paralajmërojnë nga Fronti Europian.
“Dilemat eventuale janë konsumuar dhe zgjidhur në institucionin më të lartë ligjvënës, në Kuvendin e RMV-së dhe shumica dërmuese prej tyre me koncensus politik dhe me miratim të ekspertëve të fushatës. Për të gjitha këto arritje që i siguruan vendit kohezionin ndëretnik, barazinë e bashkësive etnike dhe qytetarëve në përgjithësi, si dhe të ardhmen euro-atlantike, garantues janë edhe faktori ndërkombëtar, SHBA-të dhe vendet anëtare të BE-së”, thonë nga Fronti Europian.
Nga Fronti Europian thonë se hapja e temave të tilla dhe shfuqizimi eventual i ligjit, çon drejt rikthimit të Maqedonisë së Veriut në kohën para Marrëveshjes së Ohrit.
Lidhur me këtë debat ka reaguar edhe koalicioni VLEN, tani pjesë e koalicionit qeverisës. Nismën në Kushtetuese e konsiderojnë si tentim për grusht shteti. Thonë se nuk duan ta cenojnë pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese, por shtojnë se nëse ky ligj përdoret për politika ditore, do të sjellë rreziqe.
“Duke pasur parasysh faktin se iniciativa vjen nga një parti anti-NATO që glorifikon regjimin komunist të Enver Hoxhës, më e pakta që presim është që kjo të refuzohet me konstatimin se është një përpjekje për grusht shteti. Kjo veçanërisht për faktin se bëhet fjalë për kontestimin e procesit të hyrjes në fuqi të Ligjit për përdorimin e gjuhëve, pa u thelluar në përmbajtjen e tij”, deklaruan nga VLEN.
Nga VLEN pyesin Frontin Europian pse nuk e hodhën poshtë këtë iniciativë kur ishin në pushtet, veçanërisht kur në krye të Gjykatës Kushtetuese ishte pikërisht Sali Murat, tani deputet i Frontit Europian?
Kërkesa për kushtetueshmërinë e ligjit për gjuhët është formuar në vitin 2019 nga 13 iniciativa nga qytetarë, shoqata dhe parti politike.
Lidhur me deklaratat e kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ka reaguar edhe Agjencia për Zbatimin e Gjuhës që mundësinë e heqjes së gjuhës shqipe si gjuhë të dytë zyrtare në Maqedoni e quan aventure të rrezikshme.
“Deklarata e këtillë paraqet një aventurë shumë të rrezikshme për Republikën e Maqedonisë së Veriut, për shkak se preket njëra nga çështjet më të ndjeshme siç është gjuha e një etniteti, përkatësisht gjuha shqipe, çështje kjo e cila është zgjidhur me miratimin e Ligjit të Përdorimit të Gjuhëve më 2019, ligj ky që rrjedh pikërisht nga Marrëveshja e Ohrit e cila i dha fund konfliktit në këtë shtet. Ligj i cili në mënyrë të qartë dhe pa mëdyshje thotë që gjuhë tjetër zyrtare përveç gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik, është edhe gjuha shqipe dhe alfabeti i saj. Prandaj çdo përpjekje për ta ndryshuar këtë ose për ta reduktuar këtë të drejtë themelore, mbase është e rrezikshme”, thonë nga Agjencia.