Partia Socialiste vendosi të tërheqë projekt ligjin për amnistinë penale, në pamundësi për të arritur konsensusin me opozitën në një seancë ku vetëm 77 deputetë votuan pro ligjeve të parashikuara në rendin e ditës.
Kryetari i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën qeverisëse se edhe ligje si amnistia që bëhen për të përfituar qytetarët synon ti përdorë për të falur zyrtarët e dënuar për korrupsion.
“Për shkak se nuk arritën dot pazar e tërhoqën amnistinë, nga një pr.ligj humanitar nga ku do duhet të përfitonin qytetarët e zakonshëm që ndodhen në burg, e shndërruan në ligj për të amnistuar ministra, kryetarë bashkish e drejtorë të korruptuar.”
Por ministri i Drejtësisë Ulsi Manja mbrojti draftin e amnistisë duke akuzuar për shpifje kreun e grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi.
“Këto ditë kam dëgjuar edhe plot gënjeshtarë politikë, që mashtrimin e opinioni publik e kanë kthyer art me vete. Duke mashtruar opinion publik se me këtë draft duam të amnistojmë zyrtarët e lartë të korruptuar të këtij vendi. E kemi bërë të qartë që s’ka amnisti për korrupsionin dhe krimin e organizuar. Drafti është në dyert e kësaj salle në dritë të diellit. Një nga këta gënjeshtarë e kishit këtu pak më parë që tha se mazhoranca synon të amnistojë zyrtarët e korruptuar.”
Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar socialist Bledi Cuci theksoi se gjetja e 84 votave nuk përbën problem për mazhorancën, por ata synojnë konsensus
“PS i ka votat dhe janë solide. Ne jemi të duruar për të respektuar traditën. Do të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim. Sot e tërhoqëm në respekt të traditës për ta votuar me konsensus të plotë.”
Dy ditë më parë komisioni i ligjeve kaloi draftin final të amnistisë penale. Në këtë draft me propozimin e PS u përfshi edhe falja e dënimit për një vit për burrat dhe një vit e gjysmë për gratë që janë dënuar nga gjykatat e posaçme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ky ndryshim solli edhe reagimin e ashpër të opozitës, e cila refuzoi ne bllok të votojë një draft që fal korrupsionin./vizionplus.tv/