Sllovakia ashpërson ligjin për lirinë e tubimit pas atentatit kundër Ficos

4 months ago 37

Sllovakia ashpërsoi ligjin për lirinë e tubimit, pas atentatit kundër kryeministrit Robert Fico, dy muaj më parë.

Ligji, që u miratua në fund të qershorit dhe hyri në fuqi të hënën, nuk lejon tubime në një rreze prej 50 metrash nga selia e qeverisë dhe presidencës, parlamentit dhe të gjitha godinave të gjykatave.

Me ligj, ndalohen edhe demonstratat kundër politikanëve para rezidencave të tyre.

Tubimet mund të ndalohen gjithashtu nëse e rrezikojnë rendin publik.

Ligji parashikon që liderët e partive të përfaqësuara në parlament, ta kenë edhe të drejtën e mbrojtjes personale.

Ngjashëm, mbrojtja personale duhet të sigurohet edhe për prokurorin e përgjithshëm dhe kryetarin e Gjykatës Kushtetuese.

Kryeministrat që kalojnë më shumë se dhjetë vjet në detyrë, do ta kenë të drejtën e pensionit të përjetshëm, po ashtu.

Deri më tash, kjo e drejtë vlen vetëm për Ficon.

Kritikët nga opozita thonë se ligji është një hap drejt “shtetit policor”.

Fico, 59 vjeç, u qëllua nga afër më 15 maj, në një qytet të Sllovakisë qendrore dhe iu nënshtrua dy operacioneve të gjata.

Personi i armatosur, i identifikuar nga mediat sllovake si Juraj Cintula, 71 vjeç, është në paraburgim në pritje të gjykimit.

Fico u kthye në punë javën e kaluar.

Read Entire Article