Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedim penal për çështjen e spitalit Onkologjik.
Organi i akuzës ka bërë gati dosjen dhe e ka dorëzuar në Gjykatë ditën e djeshme për vlerësim të masave të sigurimit për 7 të akuzuarit lidhur me skandalin e Onkologjikut.
Lexo edhe :
Related Posts
SPAK ka nisur hetimet edhe për veprën penale të korrupsionit, përpos shpërdorimit të detyrës.
Gjykata ka 5 ditë afat për të bërë vlerësimin. Burime bëjnë me dije se duke qenë se janë të njëjtat akte do të kërkohet nga Prokuroria të mbeten në fuqi të njëjtat masa sigurie, “Arrest shtëpie” dhe “Detyrim paraqitje”.
Në bazë të rezultateve të hetimit mund të rëndohet edhe pozita e mjekëve.
Po ashtu nga ana e SPAK janë duke u verifikuar edhe disa farmaci për kontrabandë ilaçesh. Në sitën e Prokurorisë do të kalojnë gjithashtu zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtues të QSUT-së për çështjen e qendrës së Kobaltit.
Më 26 qershor, Prokuroria e Tiranës zbuloi skemën e mashtrimit dhe zhvatjes së pacientëve të sëmurë me tumor në spitalin e Onkologjikut. Mjeku Edmond Gashi dyshohet se në bashkëpunim me kolegët e tij orientonin pacientët e diagnostikuar me kancer në një klinikë private, e cila rezulton në emër të babait të tij. Për çdo pacient që orientohej për trajtim tek spitali privat, mjekët e Onkologjikut përfitonin shuma të konsiderueshme parash.
Edmond Gashit, Emiljano Leka, koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT, Alketa Ymeri(Pere), mjeke, Brikena Qirjazi, Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik, Halil Gashi, Florian Marku, administrator i Flori Farma dhe Drilona Kishta janë personat e vënë nën hetim, të cilët në bashkëpunim me njëri-tjetrin bënin “pazar” me jetën e pacientëve.
Nga hetimet u zbulua se në Onkologjik u instalua një aparaturë Kobalto-Terapie për trajtimin e të sëmurëve të diagnostikuar me sëmundje tumorale dhe sidomos të sëmundjeve të kancerit të lëkurës. Që të përdoret Cobalt Therapy duhet të krijohet një bunker antiradioaktiv ose antiatomik në kushtet e miratuara dhe të prezantuara nga Agjencia Atomike e Vienës.
Hetimet zbuluan se ky bunker jo vetëm nuk u krijua, por aparatura u vendos jashtë kushteve teknike. Edhe KLSH ka bërë një kallëzim për rastin, në SPAK. “Jemi të detyruar që konkluzionet tona për Onokologjikun, ti drejtojmë në institucionin që është institucioni kompetent për të ndjekur në mënyrën më të plotë të mundshme të gjithë tablo të skeletit të ligjit penal, pra Prokuroria Speciale”, është shprehur më parë kreu i KLSH.
Masat në fuqi për të akuzuarit e dosjes ‘Onokolgjiku’
-Edmond Gashi, mjek onkolog në spitalin e Onkologjikut– “Arrest shtëpie” – Shpërdorim detyre
-Alketa Pere Ymeri, mjeke onkolog në spitalin e Onkologjikut – “Detyrim paraqitje” – Shpërdorim detyre
-Brikena Qirjazi, Ish zv.drejtoreshë e QSUT – “Detyrim paraqitje” – ”Shpërdorim detyre”
– Emiljano Lela, Koordinatori pranë onkologjikut – “Detyrim paraqitje” – Shpërdorim detyre
-Drilona Kishta, ish-specialist pranë QSUNT banuese në Amerikë – “Detyrim Paraqitje” – Shpërdorim detyre
-Halil Gashi ,administrator i klinikës Megis, babai i mjekut Gashi – “Detyrim paraqitje” – Fshehje e te ardhurave
-Florian Marku, administrator farmacie – “Arrest shtëpie”./vizionplus.tv