Sulmuan pronarin e marketit dhe i plagosën dy djemtë, arrestohet shqiptari e rusi në Greqi

3 months ago 20
Reklamë

Një 30-vjeçar shqiptar dhe një 46-vjeçar rus janë arrestuar nga policia greke pasi u përfshinë në një sulm të përgjakshëm në orët e vona të së shtunës në Chania. Ngjarja ndodhi në një mini market.

Sipas flashnews, të dy janë arrestuar mbrëmjen e së dielës në një pallat në zonën e Bashkisë Platanias ku ishin fshehur.

Pronari sirian i mini marketit pohon se nuk i di arsyet e sulmit. Gjatë përleshjes kanë mbetur të plagosur dy djemtë e tij, 32 dhe 34 vjeç. 34-vjeçari ndodhet ende në spital pasi u qëllua në gju.

Video e sherrit

Në videon nga momenti i përleshjes, dy persona duket se kanë imobilizuar  shtetasin rus, i cili është gjakosur dhe plagosur në fytyrë. Rusi arrin t’i largojë dhe qëllon dy herë, me një revole dhe plagos në gju djalin 34-vjeçar të pronarit.

“Hiqni armën, dikush do të vritet” dëgjohet dikush duke thënë.

Më pas  autori  i  të shtënave  largohet në këmbë, me helmetë në dorë dhe arratiset me motor me një shtetas shqiptar.

Pronari 58-vjeçar i minimarkut, duke folur për  Creta24,  ka treguar se sulmuesi kishte shkuar më parë në dyqan dhe kishte marrë gjërat pa paguar për to, duke pretenduar se paratë do t’i jepte më vonë.

Por kur pronari nuk pranoi t’i shërbente dhe i kërkoi të largohej nga dyqani, autori iu përgjigj: Unë do të ta rregulloj qejfin.

Pak më vonë sulmuesi është kthyer me një person tjetër dhe ka sulmuar pronarin dhe djemtë e tij 32 dhe 34 vjeç.

“Fytyra e tij është e njohur për mua, nuk e di emrin e tij apo nga është. Më sulmuan me shkopinj dhe më goditën në kokë dhe dy djemtë e mi ishin jashtë. Ata hynë me shpejtësi, por u qëlluan. I lashë të shkojnë. Sepse kishin pistoletë dhe nuk doja t’i ndodhte gjë fëmijëve të mi. Përndryshe do të kishim mundur t’i kapnim. Por duke qenë se kishin një pistoletë, i lashë të shkonin”, tha 58-vjeçari.

34-vjeçari, i cili ka marrë plumbin, ka një plagë depërtuese në gju dhe ndodhet i shtruar në Spitalin e Përgjithshëm të Chanias, ndërsa babai dhe 32-vjeçari që u goditën me shkop, kanë qepje në kokë.

/a.r

Read Entire Article