Temperaturat e larta, çfarë duhet të kenë kujdes nënat e reja dhe si të mbrojmë të moshuarit

2 months ago 21
Reklamë

Vendi po përballet me të nxehtin ekstrem, që arriti kulmin ditën e premte (21 qershor) me temperatura maksimale që shkonin deri në 40 gradë. Në studion e RTSH 24, specialistja e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Gentjana Qirjako dhe disa këshilla si të mbrojmë shëndetin në këto temperatura të larta. Kategoritë më të rrezikuara, sipas Qirjakos janë fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje shoqëruese.

Ajo i këshilloi nënat e reja që, fëmijët deri në 6 muajsh t’i ushqejnë sa më shpesh me qumësht gjiri dhe të shmangin ujin apo lëngjet e frutave, ndërsa për të moshuarit dhe personat me sëmundje shoqëruese, Qirjako tha se është e domosdoshme të konsumojnë sa më shumë ujë, edhe nëse nuk kanë etje.

Temperaturat e larta ndikojnë në përditshmërinë tonë. Është një situatë që cenon performancën e çdo njeriu, por prek më shumë grupet vulnerabël, fëmijët, moshën e tretë, personat me sëmundje bashkëshoqëruese, ndaj është shumë e rëndësishme për të dhënë mesazhe kujdesi. Nëse kujdesemi mund tejkalojmë shumë mirë.

Për fëmijët e vegjël, kush i ka fëmijët në gji t’i ushqejë me gji sa më shumë të jetë e mundur dhe nuk ka nevojë t’i japin në këto ditë të nxehta asgjë përveç qumështit të gjirit, flas për fëmijët deri në 6 muaj. Nënat mendojnë se meqë janë temperaturat e larta, po i jap ujë, lëngje frutash, por nuk është nevoja për fëmijët deri në 6 muaj. Për të moshuarit rekomandojmë të konsumojnë sa më shumë ujë edhe kur nuk kanë etje sepse pengon dehidrimin. Nëse ndodh dehidrimi, kthehet në një rreth vicioz e gjithë situata shëndetësore”, u shpreh ajo.

Qirjako rekomandoi një dietë sa më të lehtë ushqimore, me bazë perimesh si dhe përdorimin e veshjeve të lehta. Sa i përket kryerjes së aktiviteteve fizike, ajo theksoi se është e nevojshme të shmangen lëvizjet në orët e pikut.

Çdo njeri, ujin duhet ta ketë me vete kudo që lëviz. Rekomandohet një dietë sa më e lehtë me përbërës ushqimor që kanë më shumë ujë që janë sallatat, supat dhe perimet. Rekomandohen ushqime që treten lehtë për të lehtësuar organizmin. Aktiviteti fizik rekomandohet vetëm në orët e para të mëngjesit dhe orët e vona të darkës. Orari i pikut, 11:00 me 18:00, nuk do të ishte mirë ekspozimi. Rekomandohet një veshje s më e lehtë me ngjyra të hapura dhe material pambuku. Kujdesi për lëkurën, sidomos për fëmijët e vegjël. Dëmet që mund të shkaktohen në lëkurë mund të jenë të përhershëm, ndaj duhet të përdoren kremra mbrojtës”, theksoi Qirjako.

/a.r

Read Entire Article