Një 66-vjeçare është arrestuar nga policia në Fier pasi ka tentuar që të fusë drogë brenda burgut për një të afërm të sajin.
Pas kontrollit, policia i gjeti Limoza Xhelalit, 32.45 gram kanabis, që u sekuestrua nga policia. Lënda narkotike ishte fshehur në pjesën e atleteve të 66-vjeçares, e cila ishte përgatitur për ta takuar të paraburgosurin Mariglen Gashi, i arrestuar për vjedhje.
Forcat e policisë në Lushnjë kryen edhe kontrolle në banesën e saj, por nuk gjetën sende të kundraligjshme. 66-vjeçarja u arrestua dhe akuzohet për Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”.
Njoftimi i plotë
Sot, më datë 23 Gusht 2024, në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Fier, gjatë një kontrolli me qëllim parandalimin dhe konstatimin e sendeve të ndaluara referuar dhe të dhënave nga inteligjenca operative punonjësit e IEVP-së dhe Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, konstatuan dhe sekuestruan një sasi lënde narkotike e dyshuar si kanabis sativa, me peshë totale 32.45 gram.
Lënda narkotike u zbulua gjatë kontrollit fizik të familjares Limoza Bahi Xhelali, e lindur më 16 Shtator 1958, e cila ishte duke u përgatitur për të takuar të paraburgosurin Mariglen Gashi, i arrestuar për vjedhje. Kontrolli u krye në pjesën e atleteve të zonjës Xhelali, ku u gjet lënda e dyshuar narkotike, e cila u sekuestrua menjëherë në cilësinë e provës materiale dhe do të dërgohet për ekzaminime të mëtejshme kriminalistike.
Lidhur me këtë rast, është informuar menjëherë Prokurori i Gjykatës së Shkallës së Parë, Juridiksion i Përgjithshëm Fier, i cili po ndjek veprimet e mëtejshme proceduriale.
Në vijim të hetimeve, u krye edhe një kontroll në banesën e shtetases Limoza Xhelali nga forcat e policisë Lushnje, ku nuk u gjetën sende të paligjshme.
Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve është duke vazhduar me veprimet procedurale të nevojshme.
Shtetasja Limoza Xhelali u arrestua dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në IEVP” dhe “Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike”, në bazë të neneve 324/a dhe 283 të Kodit Penal./vizionplus.tv