Tortura dhe vrasje, raporti i OKB: Izraeli ka kryer krime kundër njerëzimit

3 months ago 26
Reklamë

“Izraeli ka kryer krime kundër njerëzimit”. Ky është konstatimi i ekspertëve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut. Gjetjet dolën nga dy raporte paralele, njëri i fokusuar në sulmet e Hamasit të 7 tetorit dhe një tjetër në përgjigjen ushtarake të Izraelit, të publikuara nga Komisioni Hetimor i OKB-së (COI), i cili ka një mandat jashtëzakonisht të gjerë për të mbledhur prova dhe për të identifikuar autorët e krimeve ndërkombëtare.

Raportet, të cilat mbulojnë konfliktin deri në fund të dhjetorit, zbuluan se të dyja palët, si Hamasi dhe Izraeli kanë kryer krime lufte duke përfshirë torturën; vrasje ose vrasje me dashje; fyerje ndaj dinjitetit personal; dhe trajtim çnjerëzor ose mizor.

“Numri i jashtëzakonshëm i viktimave civile në Gaza dhe shkatërrimi i objekteve dhe infrastrukturës civile ishin rezultat i pashmangshëm i një strategjie të ndërmarrë me synimin për të shkaktuar dëme maksimale, duke shpërfillur parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masave të duhura paraprake”, thuhet në një pjesë të raportit të OKB-së.  

Më tej, raporti thekson se Izraeli kreu krime të tjera lufte, duke përfshirë urinë si një metodë lufte. Izraeli jo vetëm që dështoi të sigurojë furnizime thelbësore si ushqim, ujë, strehim dhe ilaçe për banorët e Palestinës, por “veproi për të parandaluar furnizimin e atyre nevojave nga dikush tjetër”.

“Reuters” thekson se Izraeli nuk po bashkëpunon me komisionin e OKB, për të cilin thotë se ka një paragjykim anti-izraelit. Nga ana e saj, OKB bën me dije se Izraeli po pengon punën e tij dhe i pengoi hetuesit të hyjnë si në Izrael ashtu edhe në territoret e pushtuara palestineze.

Misioni diplomatik i Izraelit në OKB në Gjenevë hodhi poshtë gjetjet.

“COI ka dëshmuar edhe një herë se veprimet e saj janë të gjitha në shërbim të një axhende të ngushtë politike kundër Izraelit,” tha Meirav Eilon Shahar, ambasadori i Izraelit në OKB në Gjenevë.

Ndonjëherë, provat e mbledhura nga organe të tilla të mandatuara nga OKB-ja kanë formuar bazën për ndjekjet penale të krimeve të luftës dhe mund të mbështeten nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.

/a.r

Read Entire Article