U kap sot në Dubai, si Martinaj, Ndoka dhe Shullazi planifikuan të “hiqnin qafe” Bamin: Do bëjë festë policia kur ta vrasim

3 months ago 17
Reklamë

Durim Bami, i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Revanshi” është arrestuar ditën e sotme në Dubai me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë. Bami akuzohet për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kultivim i lëndeve narkotike”, dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal”.

Konkretisht, Durim Bami akuzohet se ka siguruar kushtet për të vrarë Arben Ndokën, Tori Xhecukën dhe Erigers Mihasin. Por Bami gjithashtu ka qenë shënjestër e grupeve kundërshtare për ta ekzekutuar.

Në dosjen e SPAK prokurorët radhisin provat e siguruara nga komunikimet në Sky ECC mes personazheve të njohur të krimit.

Në njërin prej këtyre komunikimeve në SKY spikat ai mes Ervis Martinajt dhe ish-deputetit të PS, Arben Ndoka, të cilët flasin për ekzekutimin e Durim Bamit.

Në dosje theksohet se Arben Ndoka i siguron Martinajt se ka gjetur një “grup nga Kosova që të mbarojnë punë”, ndërkohë që Martinaj e siguron Ndokën se shpenzimet do t’i heqë ai.

Më tej Ndoka thekson se “ata duan vetëm një paradhënie për shpenzime fillestare si shtëpi, armë, makina, por të mbarojnë punë”.

Sipas SPAK, ndërkohë që Martinaj dhe Ndoka sigurojnë infrastrukturën për vrasjen e Durim Bamit, Emiljano Shullazi merr informacione nga burgu për lëvizjet e tij. Shullazi komunikon me Marklen Hakën për vendndodhjen e Durim Bamit, ku në një moment e pikasin atë në zonën e Oxhakut në Tiranë.

“Për atë do të bëjë edhe policia festë kur ta heqim, nuk merren me hetime me gjëra”, thekson në njërin prej komunikimeve Emiljano Shullazi ndaj Marklen Hakës.

“Mos i thuaj Vis Martinajt”

Ndërkohë që merr informacione nga Marklen Haka në lidhje me lëvizjet e Durim Bamit, Emiljano Shullazi ia komunikon ato ish-deputetit Arben Ndoka. Shullazi i shkruan Ndokës se “kam një njeri që më jep informacione për Durin (Durim Bamin)”, por nuk i thotë së bëhet fjalë për Marklen Hakën.

Ndërkohë, ndër të tjera, Shullazi i kërkon Ndokës që të mos flasë me Ervis Martinajn që kishin kontakt bashkë pasi sipas tij kjo do të dëmtonte planin për heqjen qafe të Durim Bamit.

Sipas informacioneve që merr Shullazi dhe ia kalon Ndokës, Durim Bami ka dy makina me të cilat lëviz. Njëra është një makinë e blinduar dhe tjera një Range Rover, me të cilën më pas do t’i bënin atentat.

“Mua më thanë që e kanë parë në Gjirin e Lalzit. Madje lëviz edhe nëpër Tiranë te bar A.. te Oxhaku e kanë parë. Lëviz lirshëm ai”, shprehet ndër të tjera Shullazi në lidhje me Durim Bamin.

Më herët, Shullazi i thotë Marklen Hakës se Redjan Rraja që është në burg flet me të tjerët dhe thotë se “Durim Bami është më i forti në Fushë Krujë”, ndërsa ndër të tjera kërkon edhe angazhimin e Albert Zajes për ekzekutimin e Bamit.

“Ngreje pak atë Bertin se aty te bilardoja ja gjen terëzinë se s’ka kamera”, thuhet ndër të tjera në dosjen hetimore të SPAK.

Pas Durimit vrasim dhe Valterin

Proukurorët e SPAK kanë zbuluar edhe biseda mes Arian Tukut dhe ArbenNdokës në lidhje me vrasjen e Durim Bamit, por edhe të Valterit, vëllait të tij. Mes të tjerash, Tuku i thotë Ndokës në një bisedët të bërë në korrik 2020, se “me kismet zotit, bëjmë pastrim total deri në shtator dhe ua shuajmë rracën” duke iu referuar Durim dhe Valter Bamit. Tuku thotë se duhet që pas Durimit të ekzekutohet deh Valter Bami pasi “mund të marrë azil diku dhe zhduket”.

/a.r

Read Entire Article