Ukraina sulmon me dronë Rusinë, disa të plagosur dhe ndërtesa të shkatërruara

2 months ago 27
Reklamë

Forcat e armatosura ruse njoftuan sot se gjatë natës shkatërruan 30 dronë ukrainas në rajonet në kufi me Ukrainën.

“Gjatë natës, Kievi u përpoq të kryente sulme me mjete ajrore pa pilot në territorin e Federatës Ruse dhe sistemet e mbrojtjes ajrore kapën dhe shkatërruan 29 dronë në rajonin e Belgorodit dhe një dron në atë të Voronezhit”, shpjegoi Ministria ruse e Mbrojtjes.

Guvernatori i rajonit Belgorod, në kufirin me Ukrainën, tha se katër persona u plagosën dhe disa ndërtesa u dëmtuan nga sulmet e shumta ukrainase në rajonin e tij.

Të paktën gjashtë dronë ukrainas u shkatërruan mbi lagjen Yakovlevsky të rajonit Belgorod, tha guvernatori Vyacheslav Gladkov përmes aplikacionit Telegram. Dy persona janë lënduar nga predha, shtoi ai.

Një person tjetër u plagos pasi një dron u rrëzua mbi qytetin e Belgorod, që është qendra administrative e rajonit, dhe një grua u plagos në një nga fshatrat e rajonit, tha Gladkov.

Ai shtoi se shumë ndërtesa dhe makina në të gjithë rajonin janë dëmtuar.

Reuters nuk ishte në gjendje të konfirmonte informacionin nga burime të pavarura. Deri më tani nuk ka asnjë njoftim nga Ukraina. Të dyja palët mohojnë të kenë shënjestruar civilët në luftën që Rusia filloi duke pushtuar fqinjin e saj më të vogël në vitin 2022./vizionplus.tv

Read Entire Article