Pjesë e planit për zhvillimin e Zonës së Lirë Ekonomike dhe shfrytëzimin e hapësirave të lëna në harresë shumë pranë Tiranës, është edhe ndërtimi i një varreze të re në zonën e Kasharit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha sot se ka lindur nevoja për pasjen e hapësirave të reja për varreza, të cilët do të konceptohen sipas një modeli perëndimor.
“Me Planin e ri Urbanistik ne kemi vënë re se varrezat në Tufinës dhe Sharrës janë të ezauruara. Nuk është dinjitoze që, njerëzit që kanë dhënë jetën për qytetin dhe kanë kontribuar në komunitetin tonë, do duhet të përcillen në hapësira që sot po tejmbushen sepse nuk janë konceptuar, që në fillim, me dinjitetin e dikujt që shkon për të kujtuar të afërmin e tij. Prandaj, kemi planifikuar që, edhe në zonën e Farkës, edhe në Kashar, të hapim dy varreza të reja. Do t’i konceptojmë sipas vendeve të prehjes që kemi parë në perëndim, me distancë, me stola, vend për vendosjen e luleve, me pemë, por edhe vend për të kryer ceremonitë fetare të krishterë apo myslimane”, sqaroi Veliaj.