Drejtuesi Politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj tha se sot Shqipëria po jeton ditët e saj më të mira. Gjatë takimit me strukturat socialiste të Njësisë 1, ai nënvizoi se nën drejtimin e Edi Ramës dhe PS-së, Shqipëria po transformohet çdo ditë.
“Tirana sot është e mbushur me turistë. Ka ardhur koha të themi ‘na mbytën turistët’. Po të tilla halle paçim se këto janë halle të botës së parë. Dikur Tirana ka pasur halle të botës së tretë, kur e gjetëm pa puseta, pa ndriçim, të zaptuar cep më cep. Kemi gjetur një Tiranë që, kur jepeshin leje ndërtimi, i nxirrnin banorët të flinin në rrugë te Pallati me Shigjeta. Nuk kanë kaluar 100 vjet nga kjo histori, por vetëm 10 vjet. Nën drejtimin e Edi Ramës dhe familjes tonë, Partisë Socialiste, kemi transformuar Shqipërinë nga e zeza në të bardhë. Jemi në ditët tona më të mira që nga shpallja e Pavarësisë”, u shpreh Veliaj.
Në këtë përvjetor të 33 për PS, Veliaj solli në vëmendje edhe kohët e vështira të socialistëve. “Kemi ndërtuar 42 shkolla të reja. Ata [opozita] nuk të lënë as t’i përmendësh emrat e shkollave se lodhen duke i dëgjuar sa shumë janë ndërtuar. Ne nuk lodhemi duke i ndërtuar, duke i bërë me standarde, si çerdhet, kopshtet dhe shkollat. Këto janë gjërat që duan njerëzit. Por, teksa sot kujtojmë vërtet ditët më të mira të Shqipërisë dhe të Tiranës, kujtoj edhe kohët tona të vështira. Kujtoj kohët e ’94-ës, Referendumin, edhe sot shumë prej atyre që ne do nderojmë, janë luftëtarë të atyre betejave, që e mbajtën me thonj, me dhëmbë, PS-në”. tha ai.
Veliaj u shpreh se fakti që PS votohet masivisht, duke fituar me diferencë të thellë votash, vjen si rezultat i punës duke u shërbyer të gjithëve njëlloj, pavarësisht bindjeve politike. “Sot shikojmë se si kundërshtari shpërbëhet vetë. I janë sulur njeri-tjetrit. I tregojnë bëmat e njëri-tjetrit, gabimet e njeri-tjetrit, krimet e njëri-tjetrit. Ishte një kohë kur ajo parti [PD] ishte në pushtet dhe i ngrinte njerëzit në karrierë në varësi sa socialistë kishte rrahur. Nëse kishe rrahur Edi Ramën, nëse kishe rrahur Blendi Gonxhen, nëse kishe rrahur Erion Braçen apo Servet Pëllumbin, apo nëse kishe zhdukur Remzi Hoxhën. Ky ishte sistemi i karrierës në kohën e atyre [PD]. Sot, sa më shumë punë të bësh, sa më shumë njerëzve t’u shërbesh, aq më shumë votohesh. Fitorja jonë historike me 60 mijë vota në Tiranë, më e thella ndonjëherë në historinë e Tiranës, është shpjegim i kësaj, që ne nuk iu kthyem me revansh, ne u kemi shërbyer të gjithëve njësoj”, nënvizoi ai.
Veliaj u ndal edhe te pengesat në projektet për qytetin, duke filluar nga këndi i lodrave tek Unaza. “Ju kujtohet sherri për të bllokuar zgjatimin e Unazës? Atë projekt e filloi Edi Rama dhe Edi Shalsi, kur ishin në bashki, dhe u mbarua kur u kthyem sërish ne sepse [opozita] nuk di të bëjë asnjë punë. Thonë: Mos punoni ju! Por, nuk dinë çfarë bëjnë vetë. Herën e fundit në protestë kishin më shumë goma se sa njerëz. Prandaj kthehet ‘kokoshi një thelë’ sepse njerëzit, në fund të ditës, edhe demokrati më i ndershëm thotë: “Ku e kam çerdhen, ku e kam kopshtin, ku e kam shkollën?”. Nëse këto janë bërë me një standard të lartë, le të jenë socialistët që e marrin respektin, se ata dinë të bëjnë punë”, theksoi Veliaj.