Von der Leyen: Nëse rizgjidhem në krye të KE, do mbështes zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor

8 months ago 8

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha sot në Bruksel se, nëse rizgjedhet, do të jetë një mbështetëse e fortë e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Në konferencën për shtyp të mbajtur në Bruksel, Von der Leyen, e pyetur nëse zgjerimi i BE-së me Serbinë dhe pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor do të jetë ndër prioritetet e saj, nëse ajo zgjidhet sërish kryetare e KE-së, u përgjigj se mbetet një proces i bazuar në meritë, të cilën ajo do të vazhdojë të insistojë ta bëjë.

“Është mirë të shihet se si Ballkani Perëndimor, por edhe, për shembull, Ukraina dhe Moldavia, po bëjnë gjithçka që është e mundur për të zbatuar reformat e nevojshme dhe për të ecur përpara drejt Bashkimit Evropian. Pra, natyrisht, në mandatin e ardhshëm të mundshëm, do të më gjeni si një mbështetëse të fortë të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor”, tha ajo.

I pyetur se kur Serbia mund të presë fonde nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, Von der Leyen u përgjigj se KE ka fonde për atë projekt dhe se plani është duke u punuar në detaje.

“Bëhet fjalë për të vendosur se cilat reforma lidhen me cilin lloj investimesh dhe cila do të jetë qasja ndaj tregut të përbashkët evropian. Puna po shkon shumë mirë. Ka interes të madh dhe entuziazëm të madh në vendet e Ballkanit Perëndimor. Momentin që ne përfundojmë me parimet bazë, mund të fillojmë me pagesën e parë”, tha ajo.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar se synon të kandidojë për një mandat të dytë në atë post dhe ka marrë mbështetjen e Unionit të saj Demokristian (CDU). /vizionplus.tv

Read Entire Article