Autoriteti i dosjeve të sigurimit të shtetit në ditën ndërkombëtare të të zhdukurve organizoi në Pogradec një simpozium për të sjellë në vëmendje nëpërmjet dokumenteve origjinale dhe shqyrtimit të fakteve për vrasjet e ndodhura në kufij gjatë viteve 1944-1990.
Xhek Beci një i mbijetuar nga plumbat e ushtarëve të kufirit, tregon momentet e dhimbshme kur së bashku me vëllain kanë tentuar arratisjen.
“Me presionin e sekretarit te Kombeve te Bashkuara ndryshoi ligji, ne u gënjyem më pas dhe morëm guxim të arratiseshim me vëllain dhe pabesisht na vranë megjithëse ishte liberalizuar ligji. Na qëlluan pa paralajmërim, kam mbetur i plagosur unë dhe ka vdekur në vend vllai im. Në kufij vetëm në vitin 89-90 në rrethin tim janë vrarë 33 veta, që nga mosha 4 vjeç, 16 vjeç dhe një çift i ri sapo të fejuar që donin të ndërtonin jetën në një vend tjetër, jo këtu ku mohohej liria në atë kohë. Ndërsa në Shqipëri nga viti 1944 deri në vitin 1991 janë vrarë dhe zhdukur mbi 980 veta”, tha Xhek Beci.
Ndërkohë Gentiana Sula drejtore e Autoritetit të dosjeve tha se ka shenja të pendesës për vrasjet, por ato janë individuale dhe jo publike.
“Ajo që më rezulton mua është se në plan individual, ka pendime dhe shfaqje pendese mbi këto vrasje, por ajo që mungon është shfaqja publike e kësaj pendese që të jetë jo thjeshtë propagandistike, jo thjeshtë hipokrite por të jetë e ndjerë. Ne si autoritet po mendojmë për një aktivitet të madh të shfaqjes së pendesës dhe keqardhjes, për mënyrën e dokumentimit të këtyre gjesteve që shpesh herë mund të jenë të fshehta, anonime, të drejtpërdrejta por që ne na rezulton që njerëzit nga ekspozimi i të vërtetave po arrijnë të kuptojnë më shumë mbi atë se çfarë ka ndodhur, të zhvishen nga narrative moniste e propagandës dhe censurës dhe duke njohur të vërtetat dhe faktet janë më të gatshëm për të marrë përgjegjësitë e tyre qytetare”, u shpreh drejtoresha e Autoritetit të Dosjeve Gentiana Sula.
Drejtoresha e autoritetit të dosjeve ka bërë me dije se ka eshtra të cilët sigurimi i shtetit nuk ua ka dorëzuar familjarëve për të shmangur hetimet mbi vrasjet.
“Ne nga studimet dhe hapjen e arkivës kemi konstatuar një udhëzues të kohës i cili detyron organet të mos i japin trupat familjarëve, mendojmë që ka qenë një tentativë për ti shkëputur nga hetimi ngjarjen dhe për ta shkëputur nga kujtesa. Na rezulton që në disa raste janë të zhdukur në kufij kemi të paktën 10 aplikime në këtë kategori. Ne jemi aty për ti ndihmuar qoftë edhe duke bërë hapa konkrete për fakte dhe dëshmi përmes hetimeve administrative që po I bëjmë. Siç është një rast në Ersekë në Shelegur ku ka dyshime të forta që mund të gjendet i varrosur një i vrarë në një varr të pashënuar”, shtoi Sula.
Autoriteti i Dosjeve ka vërejtur se nga 311 kërkesa të familjarëve në Drejtorinë e Procesit të Identifikimit dhe Rikuperimit të Personave të Zhdukur, 10 përqind të rasteve janë kërkesa të vrasjeve në kufi./vizionplus.tv