Ka kaluar tre muaj nga vrasja e recepsionistit Eraldo Nevruzi nga pronari i Hotel “GRECCIA” në Dhërmi, Gerald Shehu në orët e para të mëngjesit të 6 Qershorit.
Autori Gerald Shehu i cili u arrestua në Aeroportin Ndërkombëtar të Korfuzit “Jani Kapodistria” teksa po përgatitej të largohej drejt Barcelonës dhe më pas Anglisë, ende nuk është ekstraduar dejt Shqipërisë.
Mësohet se procesi i ekstradimit ka hasur vonesa për shkak të çështjeve proceduriale, ndërsa vetë autori ka kërkuar që të mos ekstradohet në Shqipëri, duke argumentuar se jeta e tij është në rrezik serioz në këtë vend.
Shehu ka pretenduar se vrasja është kryer në kushte vetëmbrojtjes, duke thënë se Eraldo Nevruzi e kishte sulmuar dhe ofenduar atë i pari. Ai gjithashtu ka përdorur shtetësitë e tij britanike dhe greke për të kërkuar që të mbetet në Greqi ose në Angli dhe të mos ekstradohet në Shqipëri.
Autori i vrasjes në Dhërmi, Gerald Shehu
Dy javë më parë, Prokuroria e Vlorës ka dërguar në Greqi të gjitha dokumentet e nevojshme për rastin, duke përfshirë kërkesën për ekstradimin e Shehut. Prokuroria ka garantuar autoritetet greke se do të respektohen të drejtat e Shehut gjatë procesit.
Prokuroria e Vlorës shpreson që ekstradimi i Shehut në Shqipëri të realizohet sa më shpejt, në mënyrë që ai të përballet me akuzën për vrasjen dhe fshehjen e trupit të pajetë të Eraldo Nevruzit. Për këtë ngjarje janë arrestuar gjithashtu dy punonjës të tjerë të hotelit, Daniel Qose dhe David Larti, të cilët janë në masën e sigurisë “arrest në burg”.
/a.r