Zelensky bën thirrje që forcat ajrore evropiane të shkatërrojnë raketat ruse

2 months ago 38

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky  ka kërkuar ndihmën e forcave ajrore të fqinjëve evropianë për të ndihmuar Kievin të shkatërrojë raketat ruse dhe mjetet ajrore pa pilot (dronët), të cilat goditën sërish sot Ukrainën.

“Në rajone të ndryshme të Ukrainës ne mund të bëjmë shumë më tepër për të mbrojtur jetët nëse forcat ajrore të fqinjëve tanë evropianë do të bashkëpunonin me F-16 dhe mbrojtjen tonë ajrore,” vuri në dukje presidenti ukrainas në një postim në Telegram, duke kërkuar “zgjidhje”.

“Nëse ky unitet funksionoi kaq mirë në Lindjen e Mesme, ai duhet të funksionojë edhe në Evropë,” shtoi ai, me sa duket duke iu referuar ndihmës që aleatët perëndimorë të Izraelit kanë ofruar për të zmbrapsur sulmet ajrore të fundit.

“Amerika, Britania, Franca dhe partnerët e tjerë kanë fuqinë për të na ndihmuar të ndalojmë këtë terror. Ne kemi nevojë për zgjidhje”, theksoi ai.

Sipas presidentit ukrainas, Rusia përdori më shumë se 100 raketa dhe rreth 100 dronë në sulmin e sotëm në Ukrainë.

“Shumë dëm në sektorin e energjisë”, tha presidenti ukrainas në postimin e tij në Telegram dhe nënvizoi se “ishte një nga goditjet më të mëdha të kombinuara. Mbi njëqind raketa të llojeve të ndryshme dhe rreth njëqind drone Shahed. Dhe si me shumicën e sulmeve të mëparshme ruse, ky ishte po aq tinëzar, duke synuar infrastrukturën kritike civile”.

Ukraina ka ushtruar tashmë presion ndaj aleatëve të saj evropianë për të krijuar një zonë ndalim-fluturimi në pjesën perëndimore të territorit të saj përmes sistemeve të mbrojtjes ajrore të vendosura në Poloninë dhe Rumaninë fqinje për të krijuar një strehë të sigurt ku industritë, infrastruktura energjetike dhe popullsia civile do të mbrohen.

Rusia ka konfirmuar se ka sulmuar infrastrukturën energjetike në Ukrainë

Rusia përdori armë me precizion të lartë për të goditur sot infrastrukturën e rëndësishme energjetike në Ukrainë që mbështet kompleksin e saj ushtarako-industrial, njoftoi sot agjencia ruse e lajmeve Interfax, duke cituar një deklaratë nga Ministria ruse e Mbrojtjes.

Kreu i administratës ushtarake të Kievit, Serhii Popko, gjithashtu njoftoi në postimin e tij në Telegram se mbrojtja ajrore e Ukrainës rrëzoi sot rreth 15 raketa dhe 15 dronë të drejtuar në kryeqytetin ukrainas gjatë sulmit të sotëm rus./vizionplus.tv

Read Entire Article