Partia Socialiste ka ankimuar në Kolegj Zgjedhor mosmiratimin e fletës së votimit për zgjedhjet e Bashkisë së Himarës.
“Kundërshtim ndaj mosmarrjes vendim nga Komisioni Regullator në KQZ, “Për miratimin e disa karakteristikave teknike të fletës së votimit për zgjedhjet e pjesshme për Kryetar të Bashkisë Himarë, të datës 4 gusht 2024”.
Fleta e votimit nuk mori shumicën e votave nga Komisioni Rregullator, pasi dy anëtarë votuan kundër. Sipas tyre fletës së votimit i mungojnë disa specifikime teknike.
Në këtë mënyrë, fleta u votua pro vetëm nga 3 përfaqësues të mazhorancës, ndaj nuk mori votat e nevojshme për t’u konsideruar e miratuar.
Mosmiratimi është pjesë e sagës së zvarritjes së këtij procesi, pasi Bashkia Himarë do të rizgjedhë kryetarin e saj, pasi KQZ e shpalli të pavlefshëm mandatin e Fredi Belerit.
Sipas opozitës ky vendim i KQZ është i pabazuar në ligj dhe i politizuar.
Ndërkohë, dy kandidatët që do të garojnë në zgjedhje janë Vangjel Tavo i PS-së dhe Petro Gjikuria i koalicionit opozitar ‘Bashkë Fitojmë’.
Zgjedhjet pritet të mbahen më datë 4 gusht./vizionplus.tv