Para se shumica socialiste dhe pakica demokratike të nisin pushimet do t’u duhet që ujdinë politike ta kthejnë në projektligj për t’i hapur rrugë votimit të ndryshimeve në kodin zgjedhor.
Në seancën e fundit parlamentare të 25 korrikut mazhoranca dhe opozita pritet të bashkojnë votat për mundësimin e votës së Diasporës dhe përllogaritjes së mandatit të deputetit për parlamentaret e 2025-ës.
Në parim PS dhe PD janë dakord që të drejtën për të votuar nga jashtë do ta ketë çdo shqiptar që ka një adresë, rezident apo jo.
Për mënyrën e votimit me postën shqiptare apo ndërkombëtare siç e kërkon opozita, politika ende nuk e ka ndarë mendjen. Ky element mund t’i mbetet për përcaktim edhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Po aq Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi që udhëhoqën diskutimet për “zgjedhoren” do të duhet të vendosin edhe për herësin. Gjasa është që ai në parlamentaret e 2025-ës mos të ekzistoje dhe partite politike të futen në garë me listë të përbërë. 1 e 3-ta të jetë e mbyllur dhe çdo kandidat për deputet që rendit pas saj të luftojë për votë preferenciale.
Në mbledhjen e grupit të socialistëve, kryetari Bledi Çuçi tha se diskutimet janë ende në nivel politik. Nëse marrëveshja arrihet, ndryshimet në kodin zgjedhore do të votohen të premten.
Në të kundërt ajo që rrezikon është vota e diasporës. Nga komisioneri shtetëror i zgjedhjeve Ilirjan Celibashi është dekalaruar se nëse Edi Rama dhe Sali Berisha nuk i ndezin dritën jeshile brenda këtij sesioni parlamentar, ajo do të quhet e dështuar.
Sipas KQZ-së koha për të nisur përgatitjet për realizimin e saj më vonë se korriku është e pamjaftueshme. Mbetet për t’u parë nëse PS dhe PD do ta mbyllin jetën parlamentare me një ujdi dhe t’i japin fund debatit për votën e diasporës dhe akuzave te ndërsjellta se asnjëra nuk e do./vizionplus.tv