Të gjitha qytetet kryesore në Shqipëri janë të zhurmshme përtej vlerave të lejuara. Sipas monitorimeve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për vitin 2023 në 11 qytete niveli i tyre rezultoi përtej normave.
Ndotjen më të madhe akustike e kanë Tirana, Shkodra dhe Vlora.
Ndërsa përgjatë natës, zona më e zhurmshme e Tiranës është Kryqëzimi “Vasil Shanto”.
Në vendin tonë shkaktari kryesor i emëtimit të zhurmave është trafiku rrugor. Ndotja akustike shkaktohet kryesisht nga fluksi i madh i automjeteve, gjendja motorike e tyre, mosha e vjetër si dhe përdorimi pa kriter i borisë.
Gjithashtu dhe lokalet gjenerojnë zhurma si ditën ashtu dhe natën.
“Zhurmat po bëhen një shqetësim gjithmonë e më serioz për shëndetin mendor dhe fizik të popullsisë. Gjatë natës, zhurma mjedisore mund të shkaktojë efekte negative në gjumë si dhe efekte në sistemin kardiovaskular që bëhen të dukshme mbi 55 dB.”
Për të zvogëluar ndikimin e zhurmave në komunitet Agjencia Kombëtare e Mjedisit rekomandon ndër të tjera që të përcaktohen me rregullore distancat midis rrugëve dhe banesave, ndërsa midis tyre të mbillen pemë. Po ashtu kërkohet kontroll periodik i mjeteve të transportit që gjenerojnë zhurmë.
Qytetet më të qeta në vend janë Kukësi, Pogradeci, Berati dhe Korça.
/a.r