Strukturat vendore të pyjeve dhe kullotave në Finiq janë përballur me vështirësi të mëdha gjatë muajve të verës . Vatrat e mëdha të zjarrit në disa prej njësive administrative të kësaj bashkie, kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në pyje dhe kullota, disa prej tyre afër zonave të banuara.
Specialistët përkatës kanë bërë vlerësimin e sipërfaqeve të djegura, të cilat i bëjnë publike për Televizionin tonë.
“Kemi 5 raste të zjarrit ku janë djegur 855 hektarë janë kullotë dhe 163 hektarë është pyll i përshkruar nga zjarri. Raste më të rënda janë në Finiq dhe fshatin Kardhikaq”, tha specialisti i pyjeve Edison Beqiraj.
Po, a ka kjo Drejtori një plan pune për zëvendësimin e pemëve të djegura nga zjarret ?
“Pas muajit tetor do i pyllëzojmë ato me fidanë të ri”, u shpreh specialisti.
Në territorin e Bashkisë Finiq janë të riregjistruara 21 mijë hektarë me pyje dhe kullota, prej të cilave vetëm 8 mijë hektarë janë pyje.
/a.r