Një 26-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën.
Mediat në Kosovë bëjnë me dije se i riu është goditur me thikë dhe më pas është hedhur nga një makinë në mes të rrugës.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka bërë të ditur për KosovaPress se viktima A.TH. ka ndërruar jetë derisa ishte për trajtim në repartin intensiv.
“Sot më datë 7 korrik 2024 rreth orës 21:00 nga reparti i intensives i QKUK-së, policia është njoftuar se viktima A.TH., mashkull 26-vjeçar, ka ndërruar jetë”, tha Bytyqi.
Policia fillimisht u vu në dijeni për ngjarjen nga qytetarët, të cilët njoftuan autoritetet se kanë parë një njeri të shtrirë në tokë.
Policia i është përgjigjur rastit ku ka kuptuar që viktima ishte goditur me thikë dhe më pas është njoftuar urgjenca e qytetit. I riu u dërgua fillimisht në urgjencën e Prizrenit për trajtim mjekësor, e më pas u transportua për në Prishtinë për trajtim më të specializuar, por nuk arriti tu mbijetonte plagëve të marra.
Lidhur me rastin Policia e Kosovës ka arrestuar një person./vizionplus.tv