Publikimi i të dhënave të regjistrimit të popullsisë dhe banesave është shoqëruar me dyshime dhe mosbesim mes ekspertëve dhe qytetarëve. Por për drejtoreshën e INSTAT-it, Elsa Dhuli, ky është një debat që ka shoqëruar çdo census, të paktën që prej vitit 2001.
“Këtë pjesë do t’ia lija në dorë demografëve analistëve, studiuesve, ekspertëve. Përgjegjësia e INSTAT-it ishte grumbullimi i informacionit dhe publikimi i rezultateve të besueshme dhe transparente të këtij procesi kaq kompleks,” tha zonja Dhuli, e cila jep argumentet e saj pse numri 420 mijë shqiptarë më pak të gjendur gjatë censusit, nuk është final dhe nuk barazohet me ata që janë larguar nga Shqipëria në periudhën mes 2 regjistrimeve 2011-2023.
“Me rezultatet përfundimtare të Censit, ne publikuam diferencën e popullsisë ndërmjet 2 censeve. 17 shtatori 2023 konsiderohet si momenti i fotografisë së çastit së popullsisë banuese në Shqipëri. Kjo shifër krahasohet me fotografinë e 2011-ës. Dhe ne kemi publikuar diferencën mes dy fotografive,” shpjegoi drejtoresha e INSTAT, duke dhënë detaje edhe sesi do të matet popullsia e larguar në emigracion, çështja që ka hapur më shumë debate.
“Nëse do të flasim për numrin e popullsisë të migruar mes 2 censeve, pra sa shqiptarë kanë migruar janë elementë të tjerë që duhen llogaritur. Janë statistikat jetësore, si lindjet dhe vdekjet, janë vlerësimi i migracionit dhe emigracionit. Nuk janë tregues lejet e qëndrimit të marra në vendet europiane, por është kjo formulë standarde europiane dhe ndërkombëtare që llogarit migracionin. Në botimin tonë, ne kemi pasqyruar që në periudhën mes dy censeve, 2001-2011, kanë emigruar rreth 500 mijë shqiptarë, ndërkohë që i njëjti trend ka vazhduar edhe pas 2011-ës. Por ne do të vazhdojmë me llogaritje të sakta, sepse do të përfshihet popullsia e regjistruar nga Censi 2023 dhe do të merren në llogaritje faktorët që përmenda,” u shpreh drejtoresha e INSTAT-it.
/a.r