Akuzat se furnizon Rusinë me municion luftarak, Kina i përgjigjet NATO-s

2 months ago 27
Reklamë

Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka reaguar ndaj atyre që i konsideroi si akuza të pabaza  të NATO-s se Pekini po ndihmon Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës.

Ai gjithashtu ka paralajmëruar aleancën perëndimore kundër nxitjes së konfrontimit.

Komentet e Wang, të bëra në një telefonatë me homologun e tij holandez, erdhën disa orë pasi liderët e vendeve anëtare të NATO-s u mblodhën në Uashington DC dhe lëshuan një deklaratë që përmendte luftën.

Ata akuzuan Kinën se mbështet në shkallë të gjerë bazën industriale të mbrojtjes ruse.

Ata i bënë thirrje Kinës që të ndalojë “të gjithë mbështetjen materiale dhe politike” për përpjekjet e luftës të Rusisë, siç është furnizimi me materiale me përdorim të dyfishtë, të cilat janë artikuj që mund të përdoren si për qëllime civile ashtu edhe për qëllime ushtarake.

Shtetet perëndimore kanë akuzuar më parë Pekinin për transferimin e teknologjisë së dronëve dhe raketave dhe imazheve satelitore në Moskë. SHBA vlerëson se rreth 70% e veglave të makinerive dhe 90% e mikroelektronikës që importon Rusia tani vijnë nga Kina.

Pekini u akuzua gjithashtu për kryerjen e “aktiviteteve kibernetike dhe hibride keqdashëse, duke përfshirë dezinformimin” mbi shtetet e NATO-s.

Në një konferencë për shtyp të enjten, presidenti amerikan Joe Biden tha se ai kishte diskutime me liderë të tjerë për të përcaktuar pasojat për Kinën.

“Kina duhet të kuptojë se nëse po furnizon Rusinë me informacion dhe kapacitet, duke punuar me Korenë e Veriut dhe të tjerët për të ndihmuar Rusinë dhe armatimin e tyre, nuk do të përfitojnë ekonomikisht si pasojë e kësaj”, tha ai.

Duke theksuar se Rusia kishte kërkuar armë nga Kina dhe Koreja e Veriut, ai shtoi se shtetet e NATO-s po shikojnë një politikë të re për ta kthyer Perëndimin në një “bazë industriale” për municione dhe për të zhvilluar sisteme të reja armësh./vizionplus.tv

Read Entire Article