Arrestimi i Metës dhe masa ndaj Kryemadhit, SPAK reagon zyrtarisht: Akuzat që rëndojnë mbi ta

6 hours ago 20

SPAK ka reaguar zyrtarisht lidhur me arrestimin e kreu të Partisë së Lirisë, Ilir Meta si dhe masën e caktuar ndaj Monika Kryemadhit.

Në njoftimin zyrtar, SPAK zbardh edhe akuzat që rëndojnë mbi ta. Meta akuzohet për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”sa i përket çështjes CEZ/DIA.

“Është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, I. M., ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura.

Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre.

Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se I.M. ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga z. K. I., gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.

Po ashtu, në njoftimin e SPAK theksohet se Meta dhe Kryemadhi në bashkëpunim kanë shfrytëzuar postin e tyre lidhur me një kompani celulare, duke mos deklaruar shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave.

“Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi I. M. në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, M. K. si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë  “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare.

Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit”, thuhet më tej.

Në vijim, Meta dhe Kryemadhi akuzohen se kanë përfituar edhe një vilë si pasojë e favoreve të kryera ndaj një biznesmeni.

“Gjatë hetimit ka rezultuar gjithashtu se çifti I.M. dhe M.K., kanë hyrë në marëdhënie korruptive me biznesmenin S.M., duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për influencën e paligjshme që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të bizmesmenit në fjalë. Personi nën hetim M.K., me porosi të biznesmenit në fjalë, ka marrë përsipër edhe ndryshimin e një ligji në Kuvendin e Shqipërisë (ligj i cili u ndryshua sipas kërkesës së biznesmenit S.M.)”, nofton SPAK.

Gjithashtu, SPAK zbardh edhe akuzat sa i përket lobimit.

“Përgjatë periudhës 2016-2017, I. M. me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe  Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të  forcës politike  nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve.”, thueht në njoftim.

Në mes të muajit gusht të këtij viti, SPAK mori nën hetim Ilir Metën për një lobim në SHBA me vlerë 690 mijë USD, para këto të padeklaruara as në KQZ dhe as në ILDKP. Në duart e hetuesve janë dy kontrata të LSI-së dhe Ilir Metës, me kompaninë McKeon Group në janar dhe qershor 2017, për t’i siguruar Metës takime dhe aktivitete në SHBA. Si ndërmjetëse është përdorur kompania “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro.

Në fillim të muajit korrik, SPAK ka regjistruar një tjetër procedim penal, bazuar një tjetër kallëzim penal të ish-deputetit Halit Valteri. Pjesë e padisë së dytë janë ish presidenti Ilir Meta dhe ish- kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, deputeti Petrit Vasili, ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, kandidatja për deputete e LSI, Elona Guri, etj. Në kallëzim thuhet se këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar një skemë të mirëfilltë të pastrimit të parave që rrjedhin nga korrupsioni dhe vjedhja e pasurive publike në kallëzim referohen kontrata të tjera lobimi në 2017 të padeklaruara, si dhe ngrihen dyshim për fshehje pasurie.

Ndërkaq, sa i takon çështjes CEZ DIA, në prill të 2022, SPAK rihapi dosjen e e vjedhjes së parave publike. Për këtë dosje, Meta u thirr nga prokuroria e posaçme në shkurt të këtij viti për të dhënë shpjegime në cilësinë e ministrit të Tregtisë, Ekonomisë dhe Energjetikës. Dyshimet janë se nga mbledhja e borxhit të debitorëve që do të bëhej nga kompania DIA, besohet se shteti shqiptar pësoi një dëm financiar në vlerën e 414 milionë eurove. Për këtë krim është dënuar Kastriot Ismailaj me 11 vite burg si pronari i kompanisë që do mblidhte detyrimet.

Në mënyrë të beftë, agjentët i vunë prangat një prej figurave më të rëndësishme politike të vendit, nën akuzat për pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim të pasurisë.

Ai u ndalua pranë një qendre tregtare në hyrje të kryeqytetit teksa ishte duke shkuar në seli ku kishte paralajmëruar një konferencë për shtyp./Vizionplus.tv/

Read Entire Article