“Bashkitë performojnë më mirë”, Mazniku: Reforma dha rezultate pozitive, mblidhen më shumë para  

1 hour ago 16

Bashkitë po performojnë më mirë që pas reformës territoriale administrative të 10 viteve më parë, duke mbledhur më shumë para dhe duke ulur detyrimet e prapambetura, duke e zbritur borxhin e tyre në 5 miliardë lekë, nga 12 miliardë lekë që ka qenë në vitin 2015.

“Kemi një rritje të të ardhurave të veta të bashkive nga 13.1 mld në 34.9 mld. Ka një fuqizim të bashkive dhe mundësi që ata kanë për të mbledhur të ardhurat e tyre. Nga 2015-2023 Kemi një rënie sistematike të detyrimeve të prapambetura. Në 2015 bashkitë kishin borxh 92% të totalit të të ardhurave të tyre në vit, ndërsa sot kanë rreth 14% të totalit të të ardhurave të tyre i kanë detyrim ndaj palëve të treta. Bashkitë janë shumë herë më të shëndetshme sot sesa para 15 viteve”, tha Arbjan Mazniku, ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor.

Për të nxitur përmirësimin e mëtejshëm të performancës së njësive vendore, në buxhetin e shtetit është vënë në dispozicion një fond prej 200 milionë lekësh, që do të shpërndahet në bazë të objektivave të përmbushur. Vitin tjetër për bashkitë do të shpërndahen edhe 200 milionë lekë në formën e grantit nga qeveria zviceranë dhe suedeze.

“Është një model i ngjashëm me atë që BE po bën me Shqipërinë për planin e rritjes ekonomike. Disa bashki të marrin mbështetje financiare nga ky program që të arrijnë disa objektiva të caktuar”, deklaroi Arbjan Mazniku.

Theksi vihet edhe te nevoja për të trajnuar punonjësit në bashki, përmes një akademie të ngritur, që do t’i aftësojë ata për shkrimin e projekteve. /vizionplus.tv

Read Entire Article