Fëmijët e zonës së Kopshtit Zoologjik dhe Kodrës së Diellit kanë një çerdhe të re, një godinë 3-katëshe, me kushte më të mira. Inaugurimi i saj u bë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, dhe ambasadorja e Izraelit, Galit Peleg.
“Është një gëzim i jashtëzakonshëm që hapim sot çerdhen tonë të 108-të. Urbanizimi ka ndodhur kaq shpejt dhe vrullshëm, ndaj ajo që po bëjmë në këto lagje, përfshirë Njësitë 12, 13 dhe 14, është që po marrim ndërtesa ekzistuese me qira. Jemi me shumë fat që kemi miq nga Izraeli, të cilët na kanë ndihmuar për ta hapur çerdhen në kohë rekord, çka me procedura normale do të merrte shumë kohë”, tha Veliaj.
Diplomatja izraelite Galit Peleg tha se ambasada ka vendosur të investojnë për fëmijët shqiptarë pas tragjedisë që përjetoj vendi i saj tetorin e vitit të kaluar nga sulmet e Hamas ku 39 nga viktimat ishin fëmijë.
“Më 7 tetor të vitit të kaluar, Izraeli pësoi një tragjedi të tmerrshme, dhe për fat të keq u vranë 39 fëmijë. Por, ne donim që këtë pikëllim ta kthenim në shpresë dhe për këtë arsye ambasada izraelite në Tiranë vendosi të investojë për fëmijët shqiptarë. Duam të dërgojmë një mesazh të fortë nga këtu, se edhe trishtimi dhe tragjedia mund të shndërrohen në diçka të lulëzuar, nëse investoni në të ardhmen dhe jo në të shkuarën”, tha Galit Peleg.
Çerdhja e sapohapur është e pajisur me kuzhine, si dhe zyrat e mjekut dhe psikologut të kopshtit. Ky ambient është parashikuar ti shërbejë 100 fëmijëve. /vizionplus.tv