“Parajsa artificiale”, kështu e quan shkrimtari Ben Blushi librin e tij më të fundit, i cili ka pak ditë që ka parë dritën e botimit. Një histori që do t’ju mbajë të mbërthyer deri në rreshtat e fundit, ku ndjehen nota dashurie në çdo fjalë të dialogut mes Simon Shuterit, një hebreu shqiptar dhe një vajze shumë më të re.
Ky roman e çon lexuesin përtej të tashmes. Në një të ardhme, ku edhe vetë parajsa vjen e krijuar përmes inteligjencës artificiale.
“Edhe ky libër projektohet në të ardhmen, pra përpiqet të rindërtojë botën mbas disa shekujsh ndoshta. Përshkruhet një parajsë tjetër nga ajo klasikja që njohim. Parajsa që ne njohim është ajo që mendojmë se ekziston pas vdekjes, kurse parajsa në librin tim është një parajsë e krijuar nga teknologjia, pra më saktë nga inteligjenca artificiale. Libri përpiqet të ndërtojë një botë se si do jetë kur inteligjenca artificiale të dominojë në marrëdhëniet shoqërore, në marrëdhëniet e punës dhe në marrëdhëniet mes njeriu, parasë, lumturisë, dashurisë, çdo gjë”, shprehet autori.
Rishfaqja e personazhit të Simon Shuterit në krijimet e Blushin nuk është rastësi. Shkrimtari e sjell këtë karakter ndryshe, duke i dhuruar në duar inteligjencën artificiale.
“Librat e mi nuk janë seri e njëra-tjetrës, janë tema të ndryshme, por një personazh qarkullon te të treja. ose të paktën në tre libra, sepse unë kam më shumë se kaq. Ky është njeriu që rindërton botë, në këtë rast rindërton parajsën, në një libër tjetër ai krijon një lloj ferri. Pra është një njeri që luan, ai quhet Simon Shuter dhe shpresoj mos jetë libri i fundit që e kam, sepse më pëlqen”, thotë Blushi.
Libri vjen si një eksperiment letrar ndaj dhe struktura e tij është e veçantë. Ai ndahet në dy pjesë “Ferri” dhe “Parajsa” ku në të parën kemi bisedat e Simonit që përbëjnë një lojë mendore, teksa tenton të qetësojë vajzën e re përmes krijimit të një bote imagjinare. Ndërsa në pjesën e dytë, Simoni projekton një utopi ku Inteligjenca Artificiale ka transformuar botën, duke eliminuar faktorët që sjellin dhimbje dhe ndarje mes njerëzve.
Romani “Parajsa Artificiale” do të keni mundësi ta gjeni gjatë këtyre ditëve në panair, së bashku me shkrimtarin. /vizionplus.tv