Nga Blerina Cene
Ish- deputeti socialist, Jurgis Çyrbja la qelinë këtë të premte për të dëshmuar në SPAK. Duke mohuar akuzat që rëndojnë mbi të, ai i dha deklarimet për prokurorin e posaçëm, Adnan Xholi përreth dy orë e 30 minuta.
Lexo edhe :
Related Posts
“Nuk kam patur kurrë aplikacion “Sky ECC” dhe nuk jam unë ai që komunikoj me ata persona. Unë nuk kam përkrahur asnjë person në kërkim, as nuk kam strehuar ndonjë të tillë”, tha Çyrbja.
Nga ana tjetër, dëshmia e tij që konsiderohet sekret hetimor e pritet t’i bashkëngjitet dosjes. I akuzuar për vepra shumë të rënda penale nga dekonspirimi i operacioneve policore te përkrahja e autorëve te bandave, e korrupsion, sipas SPAK, Çyrbja ishte shndërruar në mburojën e krimit të organizuar.
Hetuesit thonë se të paktën në shtatë raste është provuar bashkëpunimi i tij me bandat, përmes aplikacionit të dekoduar, SKY ECC.
Një ndër personat që ish ligjvënësi socialist jo vetëm paralajmëroi, por edhe strehoi, ishte Altin Hajri, që drejtësia e kishte shpallur në kërkim për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prenges.
Në këmbim ai mori mbështetje në vota kur kandidonte për deputet në Qarkun e Durrësit në zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Çyrbja pretendon prokuroria, ishte angazhuar personalisht për të vënë në dijeni personat në kërkim, përmes ndërhyrjeve në agjenci të ndryshme të zbatimit te ligjit në vend, por edhe përmes kunatit të vëllait të tij, Ahmet Masha.
Edhe ky i fundit përfundoi në pranga në 20 tetor. Gjykata vendosi t’i linte të dy në burg, ndërsa u shpall në kërkim për të dytën herë edhe Altin Hajri. Nga kontrollet e ushtruata janë sekuestruar, Pesë telefona celularë; Një hard disk i jashtëm; Një pajisje regjistrimi në formë pakete, 1,100 euro dhe Dokumente pronësie.
Ndaj tyre rëndojnë tri akuza, korrupsion aktiv e pasiv, tregimi i sekretit shtetëror dhe përkrahja e autorit të krimit. /vizionplus.tv