Kreshnik Osmani, eksperti i Çështjeve Ndërkombëtare, në një lidhje direkte për emisionin “7pa5”, foli lidhur me bazën e NATO-s që po ndërtohet në Kuçovë.
Sipas Osmanit, ndërtimi i kësaj baze ushtarake është projektuar që në vitin 2013, duke hedhur poshtë aludimet që ky investim vjen për shkak të zhvillimeve gjeopolitike që lidhen me luftën në Ukrainë dhe kërcënimet e Rusisë.
“Baza e Kuçovës është aneksuar që prej vitit 2013, kohë mëparë aneksimit të Krimesë nga Rusia. Vendosja e bazës në Kuçovë nuk është taktike qoftë financiarisht, qoftë politikisht, është taktike nga ana e aleancës dhe në këtë moment që jemi përballë këtij konflikti ajo do të marrë trajtën për të ndihmuar në këtë konflikt apo për të qenë aksionere me aq sa mundemi ne të jemi aksionerë në këtë përplasje”, tha ai.
Osmani theksoi se ky investime apo të tjera të këtij lloji nuk duhen kuptuar si shfrytëzim i Shqipërisë nga SHBA, pasi anëtarësimi në NATO shoqërohet dhe nga të tilla projekte.
“Ne të gjithë jemi pjesë e një aleance, ne kemi vendosur të jemi pjesë e kësaj aleance pas llogarive të imtësishme që na kanë dalë dhe na kanë treguar se interesat tona ekzistenciale janë pjesë e kësaj aleance. Kur bëhesh pjesë e një formacioni politik apo gjeopolitik kombëtar duhet të bëhemi gati që edhe të hamë frutat, por edhe të thartohemi në momentin që bëhemi gati për t’u thartuar. Sa risk kemi përsipër? Kjo vlen për t’u diskutuar”, shtoi ai.
Ai nënvizoi se Shqipëria nuk është e riskuar nga sulm rus, pasi nëse kjo do ndodhte Rusia do të synonte të gjithë aleancën dhe lufta do të shtrihej kudo dhe jo vetëm në vendin tonë./vizionplus.tv/