Berisha “zot” në PD, çfarë ndodh tani që Apeli i dha vulën dhe logon e partisë

5 months ago 37

Në vendim unanim, Gjykata e Apelit vendosi këtë të hënë që t’i japë vulën dhe logon e PD Sali Berishës.

Trupa gjykuese, e përbërë nga Alma Ahmeti relatore dhe dy anëtaret Iliba Bezati dhe Elona Toro, rrëzuan ankimimin e bërë nga Enkelejd Alibeaj, duke sjellë në këtë mënyrë vendimin e shumë pritur nga Sali Berisha dhe mbështetësit e tij.

Lexo edhe :

Related Posts

Në një komunikim për mediat pas vendimit, Flamur Noka tha se opozita sot është më e bashkuar se kurrë, ndërsa u bëri ftesë të gjithë demokratëve që të rikthehen në shtëpinë e tyre.

Demokratët janë ata që vendosin. Demokratët sot janë të bashkuar. Nga sot do të kenë vetëm një mision, çrrënjosjen e këtij regjimi. Një opozitë e përçarë ka marrë fund. Sot Shqipëria ka një opozitë të bashkuar. Cdokush që e ndjen veten demokrat e ka derën e PD të hapur dhe është i mirëpritur”, tha deputeti Flamur Noka jashtë gjykatës.

Por çfarë ndodh tani?

Me vendimin e Apelit, Sali Berishës i hapet rruga që të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të jenë në pranverën e vitit 2025. Me logon e PD dhe ai si kryetar legjitim, historia tashmë është kthyer mbrapsht.

Lulzim Bashës tashmë nuk i ka mbetur asnjë rrugë zgjidhje. Apeli ishte shkalla e fundit që mund të vendoste mes Bashës dhe Berishës, se kush nga të dy do të përfaqësonte partinë më të madhe opozitare në vend në parlamentaret e ardhshme.

Pas çdo vendimi, pala që fiton mbetet gjithmonë e kënaqur dhe ajo që humbet ka rezervat e veta. E njëjta gjë pritet të ndodhë edhe me Lulzim Bashën, i cili nëse nuk pajtohet me vendimin e Apelit mund ta çojë këtë çështje në Gjykatën e Lartë.

Por, edhe nëse ai e merr një hap të tillë, asnjë gjë nuk do të ndryshojë për parlamentaret e 2025-ës. Kjo për faktin se stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë vijon të jetë i madh dhe shqyrtimi i këtij vendimi do të dojë kohë.

E thënë me fjalë të tjera, Lulzim Basha duhet të gjejë një parti tjetër për tu regjistruar në zgjedhjet e 2025, njësoj siç bëri Sali Berisha në vendore të kaluara që u fut me partinë e Ilir Metës.

A do të pranojë ndonjë nga partitë e vogla opozitare të bashkohet me Lulzim Bashën, në një moment kur opozita në tërësi është e përçarë dhe e ndarë në disa pole?

Pak muaj më parë, partitë opozitare të drejtuara nga Fatmir Mediu, Agron Duka, Vangjel Dule, Nard Ndoka, Artur Roshi dhe Adriatik Alimadhi firmosën marrëveshjen për “Federatën e Opozitës së Bashkuar”.

Në atë kohë, Basha nuk iu përgjigj pozitivisht ftesës së tyre, ndaj pritet të shihet nëse ndonjë nga ata do e “hapë zemrën” dhe do formojnë ndonjë koalicion ose bashkim për t’i dhënë mundësinë Bashës që të regjistohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Fshirja” e Bashës nga regjistri

Pasi të zbardhet vendimi i Apelit, Gjykata e Shkallës së Parë duhet të çregjistroje Lulzim Bashën si kryetar të Partise Demokratike dhe të vendosë në regjistrin e partive politike, Sali Berishën si kryetar të PD.

Berisha përfiton edhe fondet

Nga ky moment, selia e PD në Tiranë dhe ato në rrethe i përkasin Sali Berishës, fondet që shteti i jep PD e që deri dje i ka marrë Lulzim Basha i kalojnë Berishës; komisionerët e numëruesit në zgjedhje i takojnë Sali Berishes dhe po ai do të ketë emrin në fletën e votimit si kryetar i Partisë Demokratike.

Ajo që ende nuk dihet është si do të veprojë Lulzim Basha dhe demokratët që e mbështesin pas këtij vendimi; a do të krijojë apo jo Basha një parti të re për të garuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?/vizionplus.tv

Read Entire Article