Ca pyesin cili ishte më i keq, Enveri apo Saliu?

2 months ago 38

Nga Frrok Çupi

Më e mira e çështjes është  kur thuhet cili ‘ishte’. Për fat të  mirë  tanimë  asnjë ri nuk ‘është’. Megjithatë ‘litarin’ e kanë lënë mbi tokë .

Litari mbi pllakën ku shkruhet emri ‘Sali Berisha’, ka dy sense, herë  tërheq të  gjallët e mbetur për nga skëterra, e herë të gjallët e mbetur tërheqin ta shkulin përfundimisht. Këtu qëndron edhe Amerika në krah të të mbeturve gjallë .

Ndërsa litari mbi pllakën ku shkruhet ‘Enver Hoxha’, ka të vetmin sens që  tërhiqet nga naivët, me qëllim që prapa ‘frikës nga Enveri’ të  grabisin e rrënojnë  të  gjallët e mbetur. Edhe këtu ishte Amerika, por vetëm fillimisht, derisa Shqipëria doli nga diktatura; pastaj nuk kishte më punë. Veçse, në sensin e Amerikës ka një gjë të përbashkët mes ‘dy të të këqijave, cili ishte më  i keqi”. Ndërsa Amerika e ka shpallur Berishën me familje ‘out!, të padëshiruar’, Enver Hoxha nuk kishte arritur deri në këtë të keqe. As Britania e Madhe s’e kishte bërë, edhe pse me Hoxhën ndau gjyqe të mëdha si për kanalin e Korfuzit dhe floririn. Ndërsa Sali Berisha mban në gjoks damkën britanike ‘kapo i krimit të organizuar’. Vite më parë, kur ndodhej në pushtet, në Parlamentin Britanik qeveria Berisha ishte thërritur ‘qeveri gangsterësh’.

Tani më thuaj cili ishte më i keq!

Në një gjykim popullor në veri të vendit tonë, dikush ndodhej para dilemës: T’i vinte emër të të vërtetës, apo ta sillte nëpër fjalë? Atë çfarë kishte parë  në arat me misër- ta thoshte me një fjalë, apo ç’të bënte? Po ta thoshte me një  fjalë, gjykatësi do ta kapte për fjale. Prandaj nisi ta përshkruajë çdo veprim të  atij akti, pjesë- pjesë; dhe në fund tha: ‘Tani thojeni ju çfarë ishte!’.

Thojeni ju o njerëz që besuat përrallën e Sali Berishës sikur ky ‘solli demokraci’  dhe ‘rrëzoi komunizmin’. Në një intervistë, po ky, ka thënë se ‘komunizmin e rrëzova me përkrahjen e Lirisë ’.  Domethënë ‘gjithë pushtetin e ri për vete dhe për Lirinë’. Pas përrallës për ‘rrëzimin familjar të komunizmit’ fshehu krimet e kobshme që  kreu kundër vendit, kundër njeriut, kundër pronës individuale, kundër pasurisë kombëtare dhe në minimin e demokracisë.

Dhe ka plot nga ata që i besuan. Kjo është më e keqja e dy të tjerave.

Cili ishte më  i keq, ai që  i ndërtoi veprat industriale dhe hidrocentralet e vendit, apo ky që i shiti për dy lekë në një vend të huaj, për një kompani që  në  fakt është vetë ky, mafioze dhe skllavëruese ndaj familjeve dhe punëtorëve shqiptarë?. Sali Berisha ka grabitur pasurinë kombëtare të ndërtuar me djersën e popullit. Sali Berisha ka djegur e shkrumbuar vlerat e ekonomisë dhe kulturës së vendit të ndërtuara nga viti 1945 deri në vitin 1990. Epoka e asaj pune ndërtuese është  quajtur edhe ‘epoka e Enverit’. Atëherë cila qenka epoka më e keqe, ajo që ndërton apo ajo që shkatërron? Cili qenka më  i keqi, diktatori që la qindra vepra industriale, energjetike, shkolla, arsim…, etj., i la ditën kur u paketua për në botën tjetër? Apo ky demokrati që ia ‘fali dreqit’ djersën e njeriut, sigurinë e popullit, pasurinë  e kombit? Çfarë i fali dreqit, atë e mori dreqi; pjesën më të madhe e futi në grykën e familjes së vet dhe të miqve që  i duhen për ditën më të keqe se sot. Deri tani kishte bërë hesap që me pasurinë  e grabitur, një  ditë  ta shtypte këtë popull si mizat dhe në  krye të tij të vinte thundrën Argita- Shkëlzenin.

Cili qenka më i keqi?

Vetëm ditët e fundit doli në  dritë grabitja e katër hidrocentraleve të ndërtuara në  vendin tonë, nga viti 1951 deri në  vitin 1960: Dy hidrocentrale në Ulzë, dy hidrocentrale në  Bistricë. (Prit se nuk keni parë gjë akoma, sa grabitje të mëdha janë kryer, që nga paratë në piramida). Të katër hidrocentralet e kishin zhbërë natën dhe ndriçuar të nesërmen e vendit; para këtyre edhe vetë kryeqyteti bënte dritë me kandil. Kompania KURUM ku Berisha vari zhgunin e tij, ka paguar, për gjithë pasurinë e përvetësua, aq vlerë sa Saliu e Shkëlzeni paguajnë për gjyqet e një  viti.

Po më i keqi cili është?

Ai që ua la pasurinë në dorë, ishte i keq pse ia la këtij. Por a ishte më  i keq se ky që e futi djersën e popullit në grykën e tij!

Në  fakt, Enveri ishte një idhull për Sali Berishën, pasurinë ky e mori me ‘votën e popullit’, s’ ka pse shfajësohet populli.

Atëherë malësori i Veriut do të bënte pyetjen ekzistencialiste:

“Ua tregova një për një  çfarë ndodhi…, tani thuajeni ju si e ka emrin kjo punë’. Se ndotën dynjanë ata që thonë se ‘ky Berisha nuk qenka më i keq se ai!’.

Deri më sot ishte anatemë e vërteta se Berisha ia kalon të keqes së Enverit mijëra herë.

Read Entire Article