Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022 ka çuar në rritjen me urgjencë të përgatitjeve të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian edhe lidhur me aftësinë për të dërguar shpejt përforcime, në rast të një konflikti të papritur me Moskën.
Në këtë kuadër Rumania, Bullgaria dhe Greqia nënshkruan një marrëveshje për të lejuar lëvizjen e shpejtë të trupave dhe të armëve në krahun lindor të aleancës ushtarake të NATO-s. Sipas NATO-s burokracia e shumtë e ngadalëson lëvizjen e trupave nëpër Evropë. Prandaj marrëveshja synon “të optimizojë korridoret e transportit për t’iu përgjigjur nevojave për lëvizjen e trupave ushtarake duke krijuar vija për furnizimin për rrjetit rrugor dhe hekurudhor mes shteteve pjesëmarrëse.” – njoftoi Ministria rumune e Mbrojtjes.
Kjo marrëveshje do të reduktojë burokracinë dhe do të maksimizojë efikasitetin në rast situatash emergjente, thuhet më tej në njoftim. Ministria e mbrojtjes e Rumanisë njoftoi gjithashtu se të tri shtetet mund të lidhin edhe portet e tyre në Detin Egje dhe Detin e Zi. Rumania dhe Bullgaria janë përfshirë tashmë në një nismë të përbashkët me Turqinë për të çaktivizuar minat që enden në Detin e Zi.
Ukraina dhe Rumania nënshkruajnë marrëveshje partneriteti për mbrojtjen
Zyra presidenciale në Kiev njoftoi se Ukraina ka nënshkruar një marrëveshje sigurie me Rumaninë.
Marrëveshja u nënshkrua pas takimit të aleatëve të NATO-s me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenski në samitin e tyre në Uashington. Kjo marrëveshje e çon në 23 numrin e përgjithshëm të marrëveshjeve afatgjata dypalëshe për mbrojtjen që Kievi ka nënshkruar me partnerë, ndër to me Britaninë e Madhe, Gjermaninë, Francën dhe SHBA-në.
Ndërsa korniza e dokumenteve është e ngjashme, ato janë të gjitha të ndryshme. Një tipar i veçantë i marrëveshjejes mes Ukrainës dhe Rumanisë janë pikat specifike të bashkëpunimit për të forcuar sigurinë në rajonin e Detit të Zi, thuhet në deklaratë.
Sipas marrëveshjes Rumania do të ndihmojë për pastrimin e minave në Detin e Zi dhe do të kontribuojë për trajnimin e pilotëve ukrainas për avionët F-16./DW