Çudira në Dibër, 19 vajza nën moshën 18-vjeç u martuan me… vendim Gjykate!

2 months ago 32

Gjatë periudhës 2017-2023, Gjykata në Dibër ka miratuar gjithsej 19 raste të martesave nën moshën 18 vjeç, ku në të gjitha rastet, kërkuese ishin femra. Vendimet janë marrë në bazë të nenit 7 të Kodit të Familjes, që lejon martesën e të miturve përpara moshës ligjore 18 vjeç në rrethana të veçanta.

Statistika sipas viteve për martesat e të miturve në Gjykatën e Dibrës (2017-2023):

2017: 5 vajza nën moshën 18 vjeç u lejuan të lidhnin martesë.
2018: 5 vajza të tjera nën 18 vjeç u miratuan për martesë.
2019: Po ashtu, 5 vajza nën moshën 18 vjeç u lejuan të martoheshin.
2020: Vetëm 2 vajza u lejuan të lidhnin martesë nën moshën 18 vjeç.
2021: 1 vajzë nën moshën 18 vjeç u miratua për martesë.
2022: Nuk u regjistrua asnjë rast martese për të mitur.
2023: 1 vajzë nën moshën 18 vjeç u lejua të martohej

Neni 7 i Kodit të Familjes parashikon që martesa mund të lidhet vetëm nga persona që kanë mbushur moshën 18 vjeç. Megjithatë, gjykata ka të drejtën të lejojë lidhjen e martesës përpara kësaj moshe për arsye të rëndësishme. Në këto raste, gjykata shqyrton personalisht kërkesën e të miturit ose të miturës, pëlqimin e lirë të tyre, dhe vlerëson nëse ata janë të gatshëm të përballojnë përgjegjësitë e martesës.

Në të gjitha 19 rastet e raportuara për periudhën 2017-2023 në Dibër, kërkesat për martesë janë paraqitur nga vajza të mitura, duke mos përfshirë asnjë mashkull.

Komiteti për Eliminimin e Diskriminimit ndaj Grave (CEDAW), ndër vite, ka ngritur disa shqetësime të theksuara për Shqipërinë lidhur me martesën e fëmijëve. Ky komitet thekson se praktikat e dëmshme, siç është martesa e fëmijëve, janë ende të pranishme, sidomos në zonat rurale dhe të largëta, ku normat tradicionale dhe presionet familjare luajnë një rol të madh.

CEDAW i ka rekomanduar Shqipërisë që të ndalojë rreptësisht këto praktika, duke lejuar përjashtime vetëm në raste të veçanta dhe të përcaktuara qartë, ku pëlqimi i të dy partnerëve është i lirë dhe i ndërgjegjshëm. Komiteti kërkon gjithashtu që të ndërmerren masa më të forta për të rritur ndërgjegjësimin në lidhje me dëmet që martesat e hershme shkaktojnë, veçanërisht për vajzat e reja, që përballen me rreziqe serioze për shëndetin dhe zhvillimin e tyre.

Gjykata, në çdo rast të martesës nën moshë, është thirrur të bëjë një vlerësim të thellë të kushteve të secilit individ. Në këto raste, ligji parashikon që kërkesa për martesë duhet të vijë nga vetë e mitura dhe jo nga prindërit e saj. Kjo bazohet në faktin se martesa është një vendim personal dhe përfaqësimi nga të tjerë, përfshirë prindërit, nuk konsiderohet i drejtë.

Përcakimi i një kufiri moshe lidhet me daljen nga mituria e cila është grupmosha e dedikuar për zhvillim fizik, psikik, emocional, social etj dhe gjatë të cilës kërkohet përkujdesje e veçantë. Në këtë grupmoshë niveli i përgjegjësive kundrejt të drejtave është në përpjesëtim të zhdrejtë në favor të të drejtave.

Dispozitat e Kodit të Familjes nuk parashikojnë një moshë minimum, nën të cilën nuk mund të lejohet lidhja e martesës as me vendim gjykate. Ligji shqiptar për të drejtat e fëmijëve, në bazë të ligjit nr. 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”, kërkon që autoritetet lokale dhe punonjësit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve të jenë aktivë në identifikimin dhe parandalimin e martesave të hershme. Këto autoritete janë të obliguara të monitorojnë rregullisht situatën e fëmijëve në rrezik dhe të ndërhyjnë, kur ka indikacione të forta për shkelje të të drejtave të tyre./Bulqizaime

Read Entire Article