Vrasja e Paola Salcedo, personazhit të njohur televiziv në Meksikë, vazhdon të bëjë bujë dhe sidomos pas akuzave që ka lëshuar e ëma e saj. Ajo ka akuzuar të birin, futbollistin Karlos Salcedo i cili ka një të kaluar në radhët e Fiorentinës në Itali, se është personi që ka urdhëruar vrasjen.
Nëpërmjet rrjeteve sociale, Maria Isabel, ka lëshuar akuza shumë të rënda. “Ai dhe gruaja e tij janë personat që e urdhëruan vrasjen, tani duan të largohen nga vendi”, shkruante ajo mes akuzave të rënda për të birin. Ndër të tjera, ajo argumentonte se kërkesa e lojtarit për t’u larguar nga klubi i Kruz Azul, ishte pikërisht për këtë arsye.
Policia po heton ende ngjarjen e rëndë që ndodhi pak ditë më parë, kur Paola u vra me armë zjarri kur po dilte nga një kinema me të birin. Edhe pse policia nuk ka ngritur akuza ndaj futbollistit, shumë personazhe të njohura në Meksikë kanë filluar të shpërndajë postimet e mamasë së tij.