Detajet/ Qëlloi me armë gjahu drejt tre të rinjve, 83-vjeçari kërcënon policët në Shkodër: Ikni se do ju vras

8 months ago 12
Reklamë

Një i moshuar ka terrorizuar lagjen “Rus” në qytetin e Shkodrës.

Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit, kur Fasli Hyka ka qëlluar me çifte nga ballkoni i shtëpisë së tij. Fatmirësisht kanë shpëtuar pa u lënduar 3 të rinj që dyshohet se ishin objektiv i të shtënave.  Në vendngjarje mbërritën forca të shumta policie duke izoluar zonën për shkak të rrezikshmërisë. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë u futën nga ballkoni i shtëpisë së 83-vjeçarit pasi më parë i hodhën një zhurmuese dhe më pas edhe nga dera e shtëpisë, duke arritur që ta neutralizojnë dhe arrestojnë.

I moshuari para se të qëllonte mësohet se ka telefonuar policinë duke i kërkuar ndihmë pasi sipas tij jashtë kishte zhurma që po e shqetësonin. Pas pak minutash mori çiften dhe qëlloi në drejtim të të rinjve, kalimtarë të rastit që arritën të shpëtojnë. Më përpara efektivët i bënë thirrje disa herë që të dorëzohet por 83-vjeçari Fasli Hyka nuk pranoi.

Në momentet kur policia i bënte thirrje për t’u dorëzuar, i moshuari mbushte çiften e tij si një shenjë rezistence dhe i kërcënonte duke i thënë “ikni se do ju vras”. Në këto kushte u desh ardhja e forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë të cilët edhe ata nisën një negocim, por sërish 83-vjeçari nuk pranoi të dorëzohej. Pas pak minutash mbërriti edhe djali i autorit të dyshuar, por refuzoi edhe të birin. Në këto kushte forcat e FNSH hodhën zhurmuesen dhe në pak sekonda arrestuan shtetasin Fasli Hyka, duke e finalizuar me sukses këtë operacion i cili zgjati për afro 3 orë e gjysmë. 83-vjeçarit pas arrestimit iu gjet çiftja me të cilën qëlloi në drejtim të tre të rinjve si dhe një armë tjetër automatik kallashnikov që e mbante në shtëpi të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Mësohet se çiften deri në vitin 2012 e kishte me leje ndërsa prej asaj kohe e mbante pa leje në banesë.

Ndërkohë mësohet se shtetasi Fasli Hyka vuan nga problemet e shëndetit mendor ndërsa ka edhe disa sëmundje të tjera si dhe ka humbur shikimin tek njëri sy.

Top Channel

Read Entire Article