Policia e Tiranës ka nisur hetimet për 8 persona, të cilët ditën e djeshme gjatë protestës së zhvilluar nga opozita përballë kryeministrisë hodhën flakadanë në drejtim të godinës.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera për protestën e zhvilluar mbrëmjen e djeshme, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit R. D., 20 vjeç, M. P., 22 vjeç, S. L., 69 vjeç, B. Xh., 33 vjeç, A. L., 38 vjeç, B. Xh., 34 vjeç, D. P., 62 vjeç, dhe një 17-vjeçar. Këta shtetas dyshohet se gjatë protestës, kanë ushtruar veprime të dhunshme, kanë hedhur flakadanë dhe molotovë, në drejtim të kryeministrisë”, thuhet në njoftim.
Protesta e thirrur nga opozita zgjati rreth 2 orë. Kreu i PL-së Ilir Meta i cili ishte i pranishëm në protestë, gjatë fjalës së tij akuzoi qytetarët që ankohen dhe nuk i bashkohen protestës, si dhe ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, pas deklaratave që kjo e fundit bëri në mbështetje të SPAK.
Meta tha se duhet t’i vijë turp çdo opozitari që mbështet SPAK-un, ndërsa ftoi në përshkallëzimin e protestës.
Menjëherë pas Metës, fjalën e mori ish-kryeministri Sali Berisha, i cili foli nga banesa e tij ku ndodhet prej 30 dhjetorit të vitit të shkuar, pas vendimit të GJKKO e cila dha masën “arrest shtëpie”.
Sapo nisi fjalën e tij Berisha, protestuesit hodhen rreth 25 shishe molotov në drejtim të kryeministrisë, ndërkohë që kreu i PD akuzoi qeverinë për situatën e rëndë në të cilën ndodhet Shqipëria sipas tij.
Pas përfundimit të fjalës së Berishës, qytetarët u nisën drejt Bashkisë së Tiranës, ku edhe aty nuk munguan bombat molotov si dhe përplasja me forcat e rendit./vizionplus.tv