Nga Tea Sadiku
Ditët e panairit të librit shpesh nxjerrin në pah problematika që hasen nga lexuesit apo dhe nga botuesit.
Një prej tyre është largimi i të rinjve nga letërsia shqipe, duke zgjedhur jo vetëm autorë të huaj të përkthyer në shqip, por dhe duke i lexuar ata në gjuhët origjinale. Kjo tendencë sipas botuesve, është në rritje nga viti në vit.
“Të rinjtë duan të vazhdojnë të na vënë në pozita pune, sepse sipas tyre ne si botues kemi akoma probleme me përkthimin. Ata lexojnë më shumë në anglisht dhe ne po bëjmë një punë dhe një përpjekje maksimale për t’i bindur që vijmë me përkthyes të mirë”, tha botuesja Elda Vela.
Por botuesit kërkojnë me ngulm promovimin dhe njohjen e autorëve shqiptar, qofshin ata tradicionalë apo të rinj.
“Në rastet kur autorët shqiptarë janë në stendë për të dhënë autografe ata fitojnë lojën. Janë ata në qendër të vëmendjes dhe janë ata që shesin më shumë”, tha botuesja Irena Toçi.
Të njëjtën sfidë kanë edhe botuesit nga Kosova.
“Një vend i vetëm në asnjë moment nuk mund të konkurrojë me gjithë letërsinë e huaj”, tha botuesi Edon Zeneli.
“Daullja e Dritës” është një nga librat e botuar së fundmi nga poeti Arben Velo. Në tre ciklet e tij, ky libër nuk është thjesht një përmbledhje poezish, por një ftesë për të zbuluar një botë të ndërlikuar emocionesh dhe mendimesh.
“Nëpërmjet këtij libri jam përpjekur të jap të gjithë atë çfarë ndodh në brendësi të njeriut kur shikon të përditshmen. Gjithçka që rrok dhe shikon syri i një poeti jam përpjekur ta sjell në atë libër. Në çdo poezi që mund të lexosh familja është aty, fëmijët, të afërmit, shoqëria është aty. Dhe unë jam përpjekur që gjithçka të përfshihet nëpërmjet vargjeve”, tha poeti Velo.
Përmes këtij vëllimi, Velo i jep lexuesit një pasqyrë të përjetimeve të përditshme, duke krijuar një lidhje të veçantë me ta, ku çdo varg ngjall ndjesi dhe bën thirrje për reflektim mbi jetën./vizionplus.tv