Epoka e kredive të shpejta në vend, vetëm me kartë identitet, pa qenë domosdoshmërish në një punë mund të marrë fund së shpejti. Banka e Shqipërisë ka hartuar projekt-rregulloren “Për administrimin e rrezikut operacional nga bankat, institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike”.
Me rregulloren e re që pritet të miratohet nga Këshilli Mbikëqyrës, për të hyrë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm , për të dhënë hua institucionet financiare jo-banka do të duhet analizojnë më thellësisht aftësinë paguese të atyre që kërkojnë kredi.
“Fatkeqësisht, në Shqipëri por edhe në botë ndodh i njëjti fenomen: Ligjet apo rregulloret nuk vendosen një herë nga Parlamenti nga Banka e Shqipërisë apo AMF, por pësohet një herë një krizë… duhet të digjemi e më pas të mësojmë”, thotë për televizionin A2, Mateo Spaho, pedagog i ekonomisë.
Bazuar edhe te rekomandimit e Kuvendit të përcjella me anë të projektrezolutës, “Për vlerësimin e veprimtarisë së Bankës së Shqipërisë për vitin 2023” rregullorja e re parashikon që subjekt i kësaj rregulloreje tashmë do të jenë vetëm subjektet financiare jobanka, si dhe shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre, të licencuara nga Banka e Shqipërisë.
“Dhe kjo është veçanërisht problem. Kjo pasi kompanitë e mikrokredisë marrin përsipër një risk më të lartë. Pikërisht pasi japin kredi të vogla pa një kolateral. Dhe kur gjërat nuk shkojnë mirë, për shkak të interesave të larta ndodhin ato që ndodhën që duket se kanë prodhuar një krizës sociale”, thotë Spaho.
Sipas projektrezolutës, Bankës së Shqipërisë i kërkohet gjithashtu të analizojë kuadrin rregullator të licencimit të Institucioneve Financiare Jobanka, me synim forcimin e mëtejshëm të kritereve për licencimin e këtyre subjekteve . “Ky ka qenë një treg relativisht i ri për Shqipërinë dhe prandaj ka pasur boshllëqe ligjore nga ana e rregullatorëve për menaxhimin e tregut”, thotë Spaho.
Më maj Banka e Shqipërisë u hoqi licencat, duke nxjerrë nga tregu dy subjektet financiare jobanka, përkatësisht shoqëritë “Final” dhe “Micro Credit Albania” për shkak të abuzimeve me dhënien e kredive.