Një ngjarje e rëndë ngriti në këmbë policinë e Himarës ditën e sotme, pas lajmërimit nga vetë pronarët e një biznesi se kishin humbur kontaktet me recepsionistin e hotelit.
Menjëherë pas marrjes së denoncimit policia ngriti nëj grup hetimor për zbardhjen e ngjarjes, ku pas kontrolleve të ushtruara fillimisht në hotel, konstatoi se Eraldo Nevruzi 31-vjeç ishte rrëmbyer dhe më pas qëlluar me armë zjarri, pak pas mesnatës së ditës së sotme.
Lidhur me ngjarjen policia shoqëroi 29 persona të dyshuar se kishin informacion mbi ngjarjen, ku ka mësuar se në hotel janë dëgjuar dy të shtëna.
Si autor i dyshuar për këtë ngjarje të rëndë është 43-vjeçari Gerald Shehu.
Arratisja e autorit dhe zhdukja e trupit
Pavarësisht zbardhjes së ngjarjes, policia në momentet e para nuk kishte gjetur as trupin e viktimës, për të cilin vijojnë kërkimet, dhe nuk kishte kapur as autorin e dyshuar, i cili kishte kaluar kufirin grek.
Pas disa orësh kërkimeve, u gjet në Sarandë mjeti i autorit të dyshuar të ngjarjes, ndërsa pak orë më vonë u bë i mundur arrestimi i tij në aeroportin e Korfuzit, ku po priste biletën për të udhëtuar drejt Anglisë.
Pistat e hetimit
Policia aktualisht ka po heton mbi dy pista të mundshme për zbardhjen e kësaj ngjarjeje, e para është ajo e një konflikti momental, ndërsa e dyta për prishje të pazareve të drogës.
Vizion Plus ka mësuar se dy personat, viktima dhe autori ishin miq me njëri-tjetrin, madje të dy kishin pak kohë që kishin ardhur nga Anglia dhe kishin bërë plane për nisjen e një biznesi sëbashku.
Kërkimet për trupin
Pas kqyrjes së kamerave të hotelit dhe marrjes së informacioneve, policia ka nisur kërkimet për gjetjen e trupit të 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi.
Kërkimet për trupin e 31-vjeçarit po vijojnë në zonën e Vunoit dhe në Dhërmi.