Korça, për të dytin vit radhazi, ka shfrytëzuar panairin ndërkombëtar të Selanikut për të prezantuar pasurinë e saj kulturore, trashëgiminë historike dhe bukuritë natyrore.
Gjatë ditës së dytë të panairit, qyteti juglindor ka tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve dhe operatorëve turistikë.
Janë prezantuar atraksione si Pazari i Vjetër, Voskopoja, Liqeni i Prespës, si dhe traditat e njohura të kulinarisë dhe artizanatit lokal.
“Këto panaire janë një mundësi shumë e mirë që ne të prezantojmë ofertën tonë turistike kundrejt operatorëve të ndryshëm, agjencive turistike, tur-operatorëve ndërkombëtarë që marrin pjesë në këtë panair. I gjithë qarku i Korçës ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik”, tha kryebashkiaku Sotiraq Filo.
Në këtë panair, Korça po përpiqet të forcojë pozicionin e saj si një pikë referimi në hartën turistike të rajonit, duke ofruar një përvojë unike për vizitorët.
Takimet me përfaqësues të industrisë së turizmit nga vende të ndryshme kanë qenë thelbësore për krijimin e bashkëpunimeve të reja dhe promovimin e Korçës./vizionplus.tv