E PLOTË/ “Zbërthehet” vajza që vrau babanë, në krim edhe familjarë të tjerë: Nga vrasja te groposja, çfarë dyshon policia

8 months ago 10

Gjakftohtë dhe pa asnjë shenjë pendese, Hygerta Meta, ka rrëfyer me detaje si kreu vrasjen e të atit. Në dëshminë e dhënë para hetuesve, 19-vjeçarja nuk fsheh mllefin ndaj babait, të cilin e vrau me armën e tij të punës.

Urrejtja që përfundoi në tragjedi, sipas saj, i ka “rrënjët” që në vegjëli. Siç ajo ka rrëfyer, viktima, Pëllumb Meta ishte një kryefamiljar shumë autoritar dhe çdo vendim në familje merrej vetëm nga ai, duke mos pranuar mendimin e askujt tjetër.

E reja rrëfeu se ngjarja ndodhi pas një zënke të radhës me të atin, pasi ky i fundit kishte marrë vendimin për ta martuar edhe pse ajo nuk ishte dakord.

E gjithë ngjarja, sipas dëshmisë së saj ka ndodhur në kasollën e bagëtive, ku me një plan të mirëmenduar, ajo e ka qëlluar të atin me armë zjarri. Pas krimit e ka mbështjellë me një çarcaf pastaj me fasho e në fund me qese. Armën e krimit shprehet se e hodhi buzë detit.

Hygerta Meta, 19 vjeç, u prangos nga uniformat blu të Durrësit si e dyshuar kryesore për vrasjen e babait të saj. Ngjarja e rëndë tronditi mbarë opinionin publik, teksa kronologjia e krimit fsheh ende shumë mister mbi mënyrën se si vrasja mund të jetë kryer.

Denoncimi si i zhdukur

Më datë 13 shkurt, djali i kryefamiljarit të vrarë, u paraqit para uniformave blu për të kërkuar ndihmë në gjetjen e të atit. Pëllumb Meta kishte humbur kontaktet me familjen dhe sipas 25-vjeçarit askush nuk kishte asnjë informacion mbi fatin e tij.

Hetimet e policisë

Për të paktën 10 ditë, viktima rezultonte i zhdukur, teksa policia e kërkonte. Mosdhënia rezultat e kërkimeve nxiti grupin hetimor të zgjeronte e thellonte hetimet, duke përfshirë edhe vetë familjen. Pas një hetimi të hollësishëm, grupi hetimor gjeti trupin e pa jetë të 50-vjeçarin. Me plagë të marra nga arma e zjarrit, Pëllumb Meta ishte groposur në oborrin e banesës së tij, shumë pranë familjes që e kërkonte.

Zbardhja e së vërtetës dhe dëshmia e 19-vjeçares

Pas gjetjes së trupit, uniformat blu arrestuan vajzën e viktimës, si e dyshuara kryesore e ngjarjes. Ajo ka pranuar krimit, duke mos shfaqur shenja pendese e mos pranuar në asnjë moment se është ndihmuar nga dikush tjetër në kryerjen e vrasjes. Konfliktet e vazhdueshme në familje, sjellja autoritare e të atit dhe insistimi për ta martuar pa aprovim, ishin arsyet e renditura nga adoleshentja për krimin e rëndë. Ajo u rikthye e shoqëruar nga uniformat blu në vendngjarje për të treguar dhe njëherë dinamikën e vrasjes, teksa në pamjet e siguruara shfaqet krejtësisht e qetë para gropës ku varrosi të atin.

Dyshimet mbi personat e përfshirë

Pas zbardhjes së ngjarjes, policia ka zhvarrosur trupin e 50-vjeçarit, i cili pritet t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Trupi duket të jetë e vetmja provë e kësaj ngjarjeje, pasi arma e krimit nuk është gjetur ende nga hetuesit. Hygerta deklaroi se armën e ka hedhur buzë detit, duke mohuar të jetë ndihmuar nga dikush tjetër. Megjithatë, ajo ka theksuar se në momentin e krimit nuk është konfliktuar me të atin, por vetëm sa ka “zbrasur mllefin” së bashku me plumbat drejt babait të saj. Plani i 19-vjeçares për të “hequr qafe” të atin duket i mirëmenduar, teksa hetuesve iu deshën ditë për të zbuluar ngjarjen. Fizikisht duket mjaft e vështirë që një vajzë e re të mundet të vrasë e më pas tërheq trupin e të atit, duke hapur një gropë e varrosur atë. E gjithë kjo skenë në oborrin e banesës, duke mos lënë asnjë provë pas dhe duke mos krijuar asnjë dyshim tek familjarët. Hetimet do të përfshijnë dhe persona të tjerë për të hedhur dritë mbi misterin e kësaj ngjarjeje.

Dëshmitë e të afërmve

Të afërm të familjes u shfaqën të tronditur nga ky krim. Ata e përshkruan vajzën si të qetë, teksa nuk fshehën habinë apo dyshimin se vajza mund të ishte protagoniste e një skenari të tillë. Sipas tyre, ajo ishte e sjellshme dhe shumë e urtë, ndaj nuk kishte shfaqur kurrë shenja agresiviteti. Krushku i 50-vjeçarit, me djalin e të cilit është martuar vajza e tij e madhe, ka folur për kamerat dhe është shprehur i tronditur për ngjarjes.Ai ka thënë se i njihte si familje të mirë, teksa për vajzën është shprehur se “nuk mbyt dot një pulë e jo më një njeri”./vizionplus.tv/

Read Entire Article