Një tjetër ngjarje e rëndë me protagonistë shqiptarë është shënuar në Greqi. Mediat helene raportojnë se 27-vjeçari shqiptar Ymer Haxhiaj nga Cakrani i Fierit ka dhunuar barbarisht të dashurën e tij Athina Marula, e cila ishte shtatzënë.
Për shkak të dhunës Marula ka humbur fëmijën, ndërsa 27-vjeçari shqiptar është vënë në prangat e policisë greke.
Sipas mediave çifti ka bashkëjetuar për disa kohë, por pas mosmarrëveshjeve me njëri-tjetrin Athina Marula është larguar nga banesa për të shkuar te prindërit.
Pak ditë më vonë Haxhiaj ka shkuar në banesën e saj dhe e mori të dashurën me automjetin e tij dhe iu drejtuan banesës në Cilivi. Atje mbas një debati, i kërkoi 19-vjeçares të qëndrojë në banesë, por ajo e refuzoi.
Por pas refuzimit të vajzës, Haxhiaj e lidhi viktimën me litarë nga duart dhe këmbët dhe pasi e dhunoi e detyroi atë me marrë dy kokrra ilaç për të dështuar fëmijën. Brenda pak minutash e reja e humbi fëmijën, e cila sipas mjekut ligjor ishte 6-8 javësh.
Për shkak të dështimit të pa kontrolluar hemorragjia ishte e madhe, çka e detyroi autorin ta çojë viktimën në spital. Por edhe atje Haxhiaj pasi i mori telefonin, e kërcënoi viktimën për të mos treguar asgjë mjekëve dhe policisë.
Çdo gjë u zbardh mbas ndërhyrjes së mjekëve të cilët denoncuan rastin në polici dhe autori u vu në pranga. Atje ai pohoi se kishte kryer aktin makabër pasi sipas tij nuk donte të të vinte në jetë fëmija, produkt i lidhjes së tij me 19-vjeçaren.
Shërbimi social mori menjëherë në mbrojtje viktimën, ndërsa autori do të dërgohet në gjykatë me akuzat e dhunës, plagosjes, detyrim për ndalimin e shtatzënisë dhe pengmarrje. Vepra penale të konsideruara të tipit të rëndë që dënohen me heqje lirie mbi 7 vite.