Qindra miliona qytetarë të Bashkimit Europian votuan sot në ditën e fundit të zgjedhjeve të përgjithshme të bllokut.
E ndërsa votimi vijon në disa shtete, në disa të tjera që votuan sot ose në tre ditët e kaluara si Holanda, Greqia apo Gjermania qendrat e votimit janë mbyllur vetëm pak momente më parë.
Sipas rezultateve paraprake, në Gjermani kryeson partia CDU/CSU e kancelarit Scholz, e cila ndiqet nga partia e ekstremit të djathtë ‘Alternativa për Gjermaninë’.
Në Greqinë fqinje rezultatet e para nxjerrin fituese demokracinë e re të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, një nga kandidatët e së cilës është edhe kryebashkiku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri, i cili ndodhet aktualisht në burgun e Fierit i dënuar për blerje votash.
Në Austri e para qëndron ‘Partia e Lirisë’ e ekstremit të djathtë e cila edhe sipas sondazheve para zgjedhjeve kishte më shumë shanse të ishte partia fituese në këtë shtet.
Procesi maratonë që nisi të enjten me votimin në Holandë vazhdoi deri sot në pjesën më të madhe të vendeve europiane. Këto zgjedhje po konsiderohen si shumë të rëndësishme për shkak të zhvillimeve në kontinentin evropian, por edhe më gjerë.
Grupi më i madh i qendrës së djathtë në Evropë, Partia Popullore Evropiane, pritet të ruajë shumicën në gjithë vendet e bllokut, megjithëse partitë e të djathtës ekstreme duket se do të kenë një rritje në pjesën më të madhe të shteteve.
720 ligjvënësit që do të dalin nga zgjedhjet janë ura që lidh direkt evropianët me institucionet e Bashkimit Evropian.
Qëndrat e fundit të votimit do të mbyllen në orën 23:00 me orën lokale në Itali.
Këto janë zgjedhjet e para që mbahen në BE pas shkëputjes së Britanisë së Madhe nga blloku në vitin 2020./vizionplus.tv