Festivali “Maremeum” në Vlorë, koncerti artistik pasuron mbrëmjet e qytetit bregdetar

2 months ago 41

Festivali “MareMeum” është stacionuar mbrëmjen e së premtes në mjediset e Petroliferës në Vlorë. MareMeum erdhi si një bashkëpunim i Institutit Italian të Kulturës me Komitetin Kombëtar Italian të Muzikës.

Maestro Zhani Ciko dhe Piktori Artan Shabani thanë se koncerte të tilla pasurojnë jetën kulturore të qytetit.

“Një aktivitet vërtet shumë cilësor. Unë jam përpjekur ta ndjek festivalin, të organizuar nga kompozitori i ri por dhe një njeri i kulturës. Janë aktivitete që tregojnë se ky qytet përveç traditave të saja ka nevojë dhe për këto mbrëmje të veçanta ku vërtet ndihet që është një qytet që integrohet në kulturën Evropiane dhe të jep një kënaqësi”, tha Zhani Ciko.

“Aktiviteti është i jashtëzakonshëm sepse është në situatën të një sërë aktivitetesh që Aulon Naci me ndjeshmërinë e tij si një artist ekselent e pasuron këtë qytet. Për të tilla aktivitete të gjithë ne kemi nevojë duhet të kultivojmë brenda vetes tonë ato tinguj të vërtetë, si kemi nevojë, jo vetëm Vlora. Për Vlorën është një pasuri e shtuar, një nga ato eventet që nuk do kërkonte një sforcaturë pasi është në nivelet më të larta”, tha Artan Shabani.

Të emocionuar janë shprehur edhe artistët italianë.

“Në Vlorë është hera e parë, qytet i bukur, kemi pasur pak kohë për ta parë, në nisemi herët nesër, por do kemi patjetër një rast tjetër. Jemi popull shumë i ngashëm, një publik i ngrohtë, një vend kaq emocionues, nuk është normale të gjesh një vend kaq të bukur.”

Kryebashkiaku Ermal Dredha vuri në dukje rëndësinë që kanë festivale të tilla për turizmin.

“Aktiviteti është në vazhdën e asaj çfarë ka dashur të shfaqë dhe të promovojë z. Aulon Naci me këto tre evente shumë speciale. Shikojmë që ka zgjedhur tre lokacione të ndryshme, pra ne duam të promovojmë edhe vende të ndryshme që mund të kthehen në destinacion për t’u parë nga turistët që zgjedhin Vlorën si destinacion dhe për t’i dhënë disa ngjyra duke harmonizuar me këtë mbrëmje speciale dhe të kemi sa më shumë të gjitha”, tha Dredha.

Pas shumë mbrëmjeve artsitike,  ky koncert shënoi dhe mbylljen e Festivalit MareMeum në Vlorë, ndërsa i dha qytetit një dimension artistik të veçantë./vizionplus.tv

Read Entire Article