Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan u takua të enjten me homologun e tij rus, Sergej Lavrov në Brazil për të diskutuar lidhjet dypalëshe dhe çështjet rajonale, duke përfshirë luftën në Ukrainë.
Në margjinat e Takimit të Ministrave të Jashtëm të G20 në Rio de Zhaneiro, Fidan i tha Lavrovit se Turqia shpreson për një zgjidhje diplomatike të luftës në Ukrainë me pjesëmarrjen e të gjitha palëve.
Fidan tha gjithashtu se Turqia mbështet të gjitha nismat që synojnë ruajtjen e stabilitetit dhe prosperitetit rajonal, sipas burimeve diplomatike turke.
Gjatë takimit u planifikuan vizita të nivelit të lartë për periudhën në vijim, si dhe u diskutuan zhvillimet dypalëshe dhe rajonale.
Ministrat gjithashtu shkëmbyen mendime edhe mbi situatën e rëndë humanitare në Rripin e Gazës dhe hapat që mund të ndërmerren, shkruajnë mediat vendase./vizionplus.tv/