Regjistrohet fluks i lartë lëvizje në dy pikat e kalimit kufitar në juglindje të vendit, atë të Kapshticës dhe Qafë Thanës. Gjatë një jave në të dyja këto pika të kalimit kufitar janë regjistruar 101 148 hyrje dalje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj.
Burimet zyrtare nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Korçë bëjnë të ditur se 44 558 hyrje dalje janë regjistruar në Kapshticë dhe 56 590 hyrje dalje janë regjistruar në Qafë Thanë.
Sipas të njëjtave burime vetëm gjate 24 orëve të fundit nga pika e Kapshticës kanë hyrë dhe kanë dalë 6737 shtetas, shqiptarë dhe të huaj.
Burimet thanë se numri më i madh është regjistruar në dalje me 3418 shtetas.
I lartë ka qenë fluksi i lëvizjeve në të dy anët e kufirit dhe në Qafë Thanë.
Zyrtarisht thuhet se gjatë orëve të fundit në të dy anët e kufirit kanë lëvizur 7844 shtetas të huaj dhe shqiptarë.
Për të përballuar fluksin në Kapshticë, pala shqiptare punon me 6 sportele, 4 prej të cilëve në dalje.
Me gjashtë sportele punojnë në hyrje dhe dalje edhe në pikën kufitare të Qafë Thanës.
Autoritetet kufitare të Kapshticës, ju bëjnë thirrje shtetasve shqiptarë të mos zgjedhin vetëm orët e paradites për të kaluar nga ana tjetër e kufirit, por dhe orët e pasdites kjo me qëllim shpërndarjen e fluksit.
Pavarësisht numrit të konsiderueshëm të qytetarëve që qarkullojnë, në të dyja këto pika kufitare nuk janë regjistruar radhë të gjata dhe pritje e qytetarëve.