Shqipëria po bëhet gati të inaugurojë bazën e parë të NATO-s në vendin tonë. Prej 4 Marsit të këtij viti Kuçova do të jetë në duart e aleancës më të fortë ushtarake në botë, si një bazë taktike ajrore.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamjet që tregojnë transformimin rrënjësor të Aeroportit Ushtarak të Kuçovës.
“Mirëmëngjes dhe nga Baza Ajrore Taktike e NATO-s që hapet së shpejti në Kuçovë, e cila do të luajë një rol kyç në mbështetjen e operacioneve dhe stërvitjeve të NATO-s, duke shërbyer edhe si një qendër për aktivitetet e Forcave Ajrore, me infrastrukturë të avancuar për avionët luftarakë dhe ata të transportit të Aleancës, ju uroj një ditë të mbarë”- shkruan Rama.
Më herët, Komandanti i Forcës Ajrore, Gjeneral brigade Ferdinand Dimo shpjegoi tranfromimin e areportit të Kuçovës në një bazë ajrore të NATO-s.
“Në vitin 2021 u parashikuan të kryheshin investimet për rivitalizimin e instalimeve të bazës së Kuçovës. Tashmë sot jemi në përfundim të implementimit të 3 projekteve të rëndësishme siç është sistemi i rrethimit dhe i sigurisë, po ashtu edhe i mbrojtjes perimetrale të bazës. Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë të investuara nga qeveria shqiptare”, do të shprehej Komandanti i Forcës Ajrore, i cili ndër të tjera ka sqaruar edhe funksionet që do të kryhen nga kjo bazë. “Jemi në përfundim të të gjitha punimeve që trupat e Forcës Ajrore të stërviten në këtë bazë. Por jo vetëm kaq, trupat e NATO-s dhe mjetet fluturuese të NATO-s mund të akomodohen, të stërviten dhe të fluturojnë duke u nisur nga baza ajrore e Kuçovës, që tashmë është një bazë ajrore taktike e NATO-s”- tha ai.
Top Channel