Greqia ka marrë disa masa të reja teksa është në prag të nisjes së vitit të ri shkollor. Mediat vendase bëjnë me dije qeveria e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis ka vendosur edhe ndalimin e përdorimit të telefonit celular në shkollat greke. Sipas rregullit të ri nxënësi mund të sjellë celularin në shkollë, por duhet ta ketë vetëm brenda çantës gjatë gjithë kohës deri sa të mbarojë orari i shkollës.
”Sipas rregulli të ri nxënësi mund të sjellë celularin në shkollë, por duhet ta ketë vetëm brenda çantës gjatë gjithë kohës deri sa të mbarojë orari i shkollës. Kërkoj mbështetjen e gjithë nxënësve, prindërve dhe mësuesve në një përpjekje që ka të bëjë me faktin se celularët nuk duhet të kenë vend në shkolla”, – deklaroi kryeministri Kyriakos Mitsotakis në takimin e tij me kryesinë e Ministrisë së Arsimit.
Mitsotakis theksoi se përdorimi i celularëve gjatë ditës në shkollë ndikon jashtëzakonisht negativisht në vetë procesin mësimor. Kryeministri grek njoftoi se slogani me të cilin do të hapen shkollat këtë vit akademik do të jetë “Celularët në çantë”.
Në paketën e re të masave për sistemin arsimor do të ketë ndryshime tek burimet njerëzore, me marrjen në punë të mbi 10000 mësuesve të rinj, futjen e sistemeve të reja teknologjike në mësimdhënie me 28.500 tabela të bardha interaktive, teknologjinë dhe zbatimin e tutorialit dixhital, i cili do të nisë funksionimin nga data 16 shtator për maturantët.