Parlamenti italian është kthyer në një arenë boksi këtë të mërkurë. Gjithçka nisi gjatë diskutimit të një projektligji për autonomi të diferencuar ku deputeti e Lëvizjes “5 Yjet”, Leonardo Donno, po përpiqej t’i jepte një flamur trengjyrësh (flamuri italian) ministrit Calderoli, në shenjë proteste. Sigurimi i Parlamentit ndërhyri duke ndaluar Donnon, ndërsa ky i fundit u godit dhe u rrëzua përtokë nga deputetët kundërshtarë.
Menjëherë pas kësaj situate Donno u largua nga salla.Sipas asaj që u raportua nga Marco Grimaldi i Avs, ishte një anëtar i Lega Nord ai që goditi Donnon gjatë incidentit.
Menjëherë pas përplasjes është thirrur konferenca e kryetarëve të grupeve të Parlamentit italian, për të marrë vendimet e mëtejshme.
Si ndodhi incidenti i dhunshëm
Fillimisht kishte një protestë nga opozita kundër reformës së autonomisë së padiferencuar. Në sallë u vendosën flamujt e Italisë dhe u këndua himni kombëtar, ndërsa disa deputetë pushtuan karriget e ministrave duke thirrur “turp”, sipas asaj që raporton Ansa.
Seanca u ndërpre menjëherë.
Pak para se të dilnin nga dhoma, disa deputetë brohoritën “Bella ciao”.